Shira të rrëmbyeshëm priten gjatë natës

Maqedonia

Shira të rrëmbyeshëm priten gjatë natës

Më: 26 janar 2015 Në ora: 19:26

Reshjet e reja të shiut që filluan këtë pasdite mund të sjellin përmbytje dhe dalje të pjesshme nga shtrati, të lumenjve, si dhe rezervuarve të ujit. Autoritetet thonë se po e ndjekin me vëmendje rrjedhën e lumit Vardar, veçanërisht në rajonin e Pollogut.

“Si pika kritike, sipas paralajmërimeve që marrin nga Enti Hidrometeorologjik, theksohen lumi Vardar në Jegunovcë, lumi Taor në Nogaevci si dhe në Demir Kapi. Pastaj Bregallnica nga Koçani deri në Shtip, lumi Pçinja drejt Pelinces, Cërna Reka në Novaci dhe Treska mbi Makedonski Brod”, tha Nadica Vëçkova, Zëdhënëse e QMK-së.

Edhe pse në 24 orët e fundit, niveli i ujit të lumenjve ra në pjesën juglindore të vendit, reshjet e fundit mund të kërcënojnë sërish përmbytje të aty-këtushme.

“Më shumë reshje priten në fund të ditës dhe gjatë orëve të natës. Me intensitet më të madh, reshjet do të jenë në rajonet juglindore të vendit. Pritet që në nivel lokal të ketë edhe 15 litra shi për metër katror. Nesër paradite nuk do të ketë reshje, por në vendet malore mund të ketë borë. Të mërkurën pritet një masë ajrore më e ftohtë, ndërsa reshjet do të ulin intensitetin”, u shpreh Ivana Petroviq, Sinoptikane.

Moti do të stabilizohet të enjten, kur pritet të rikthehet edhe dielli, por e premtja sërish nuk do të jetë e mirë, madje nuk përjashtohet mundësia e ndonjë cikloni dhe rënies së madhe të temperaturave, përfshi edhe botë. Për shkak të përmbytjes së puseve, do të vazhdojë ndalesa e ujit për pije në rajonin e Shtipit dhe Radovishit. Jo i pijshëm është edhe uji i Probishtipit. Ndërkaq, ndalesë për qarkullim makinash do të ketë në Probishtip, Demir Kapi dhe Gjevgjeli. alsat-m

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat