Nëse SASHK është sindikatë edhe e kulturës, pse ka grevë vetëm në arsim?

Maqedonia

Nëse SASHK është sindikatë edhe e kulturës, pse ka grevë vetëm në arsim?

Më: 26 janar 2015 Në ora: 17:12

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kundërshtuar dje dyshimet që ngriti BDI se radikalizmi i kësaj sindikate është i motivuar etnikisht ose më saktë, se kërcënimet për grevë kanë filluar vetëm dy javë pasi MASH u mor nën drejtim nga një ministër shqiptar.

SASHK tha se greva nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike të ministrit dhe se ajo u referohet problemeve në arsim.

Ky shpjegim megjithatë duket se nuk mbush mendje, për shkak se një tjetër argument i partive qeverisëse mbështet dyshimet se greva e SASHK-ut në është e motivuar etnikisht dhe politikisht.

Burime në Qeveri, duke komentuar këto deklarata të Sindikatës, thanë se mjafton vetëm një fakt për të kuptuar se greva është e drejtuar kundër ministrit shqiptar.

Burimet thanë për “Zhurnal” se, ndërkohë që Sindikata ka njoftuar një grevë të përgjithshme në tre sektorët e saj, greva mbahet vetëm në arsim.

“SASHK është sindikatë që mbron të drejtat e të punësuarve në arsim, shkencë dhe kulturë, por greva zhvillohet vetëm në arsim. Nëse greva u paralajmërua si e përgjithshme, pse po mbahet vetëm në shkolla, por jo dhe në institucionet kulturore dhe shkencore, ku drejtuesit janë kryesisht maqedonas”, pyet burimi.

Ai thotë se në këtë sindikatë përfshihen edhe të punësuarit e kopshteve për fëmijë, por në këto institucione greva nuk mbahet.

Sidoqoftë, burimi thotë se greva po dështon dhe se është vetëm një numër i vogël i mësimdhënësve që i përmbahet asaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat