Taravari: Kongresi i ri i PDSH-së, më 21 dhe 22 mars

Maqedonia

Taravari: Kongresi i ri i PDSH-së, më 21 dhe 22 mars

Më: 26 janar 2015 Në ora: 15:24

Kongresi i VI-të i PDSH-së do të mbahet në afatin e rregullt më 21 dhe 22 Mars 2015.

Kjo gjë u vendos në mbledhjen e djeshme të Këshillit Qendror të Lëvizjes për Reforma brenda PDSH-së.

Ky Kongres, sic thuhet në një njoftim të Lëvizjes, do të respektojë Statutin e partisë në çdo pikë të tij, sepse në këtë mënyrë respektohet çdo anëtar i PDSH-së.

Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Komisioni për organizimin e Kongresit të VI-të që do të udhëhiqet nga z. Arben Taravari si kryetar dhe nënkryetarët z. Adnan Neziri dhe znj. Vlera Ejupi. K

Ky Komision bashkë me Këshillin Qendror të Lëvizjes ka për detyrë që në muajt në vazhdim të përgatit Kongresin, duke filluar nga zgjedhjet e brendshme nëpër gjithë nëndegët duke vazhduar me mbajtjen e Kuvendeve të degëve, ku do të zgjidhen edhe delegatët e Kongresit të VI-të.

“Do të jetë një punë e përbashkët, me angazhim të strukturës së Këshillit Qendror për të organizuar Kongresin e ligjshëm të PDSH-së, më 21 dhe 22 Mars 2015. Qëllim parësor do të jetë respektimi i Statutit të partisë, pasi mendoj që Statuti është shkelur në shumë raste nga udhëheqësia aktuale. Prandaj, Kongresi do të zgjedh edhe përfaqësuesit legjitim të partisë, në të cilin priten të merren edhe vendime tjera të rëndësishme”, tha Taravari, kryetar i Këshillit për organizimin e Kongresit të VI-të.

Sipas tij, përfaqësuesit që do të dalin nga ky Kongres do të kenë një punë shumë të rëndë, të kthejnë dinjitetin dhe krenarinë e anëtarëve të PDSH-së si në kohën e të ndjerit Arben Xhaferi, kur kjo strukturë ishte e respektuar në rajon dhe Europë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat