BDI: Ne jemi kundër shantazheve të SASHK-ut

Maqedonia

BDI: Ne jemi kundër shantazheve të SASHK-ut

Më: 25 janar 2015 Në ora: 16:32

Në një kumtesë për shtyp, Bashkimi Demokratik për Integrim, theksoi se i mbështet mësimdhënësit dhe se ka bërë cka është e mundur për rritjen e rrogave të tyre. Por, ata do të luftojnë deri në fund manipulimin dhe shantazhet që bënë SASHK-u ndaj mësimdhënësve.

Në vijim po ua përcjellim kumtesën e plotë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se e drejta e grevës është e garantuar me ligj dhe konsiderojmë që SASHK-u si organizator legjitim i saj duhet të sillet me përgjegjësi ndaj kërkesave për përmirësimin e kushteve për të gjithë anëtarët e saj, por edhe për rëndësinë e ndjekjes së rregullt të mësimit nga nxënësit.

Për BDI-në është simptomatike fakti që SASHK-u, deri më tani, ka qenë përkrahës i politikave të MASH-it dhe Qeverisë, kurse prej muajit shtator 2014 qëndrimet e saj ndaj kësaj ministrie kanë ndryshuar, madje në disa raste janë shoqëruar me shantazhe dhe kërcënime.

Ajo që na bën të dyshojmë ende më shumë dhe që tregon se SASHK ka qasje të dyfishtë, është fakti se pikërisht në tetor të vitit 2014, kur kishte rritje të rrogave me 4%, kjo organizatë sindikaliste ngulte këmbë në rritjen e rrogave. Nuk duam të besojmë, sido që kemi shumë arsye, që SASHK radikalizoi kërkesat e saj thjesht dhe vetëm sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës u mor nën drejtim nga një ministër shqiptar.

Si për të provuar të kundërtën që SASHK pretendonte, MASH propozoi ndërsa Parlamenti i miratoi ligjet që avancojnë të drejtat e mësimdhënësve dhe që sigurojnë zhvillimin profesional dhe të karrierës së tyre. Kjo nënkupton edhe rritje të rrogave të tyre, por vetëm për mësimdhënësit më të mirë.

BDI do të vazhdojë të angazhohet për përmirësimin e statusit të mësimdhënësit në shoqëri, ashtu siç edhe u angazhua që të miratohet ligj i posaçëm për ta. Por, në të njëjtën kohë, BDI do të jetë kundër manipulimit të mësimdhënësve dhe nxënësve për qëllime grupore dhe karrieriste të cilitdo, qoftë edhe të dikujt me ambicie për pozicionim brenda SASHK-ut.

U bëjmë apel prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve që të fillojnë me procesin e mësimit dhe t`i shqyrtojmë bashkërisht anët pozitive dhe avancimin e tyre, si dhe të fenomeneve negative dhe eliminimin e tyre nga procesi arsimor.

Për BDI-në mësimdhënësit janë shtylla e arsimit dhe ne do të angazhohemi që ata të zënë vendin e merituar në shoqëri.

BDI konsideron që të gjitha kërkesat e SASHK mund të diskutohen në takime të përbashkëta dhe se nëpërmjet dialogut mund të arrihet te epilogu pozitiv në funksion të cilësisë në arsim dhe mbarëvajtjes së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat