Regjistrim nuk do të ketë as në vitin 2015

Maqedonia

Regjistrim nuk do të ketë as në vitin 2015

Më: 26 dhjetor 2014 Në ora: 00:20

Qeveria nuk ka një përgjigje nëse pezullimi i këtij procesi ndodhë për shkak të mungesës së kapaciteteve shtetërore për një gjë të tillë apo për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, thotë se regjistrimi do të ndodhë kur kuvendi do të marrë vendim për realizimin e një operacioni të tillë statistikor, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të hartojnë politikat në bazë të të dhënave që kanë në dispozicion, e që sipas saj janë gjithnjë e më të sakta, për shkak të digjitalizimit dhe përditësimit. Shqetësimin për regjistrimin e popullsisë e ngriti deputetja e pavarur në opozitë, Ljubica Buralieva.

“A është regjistrimi në agjendën e juaj politike për vitin 2015? Vit në të cilin presim të ecim përpara dhe t’i afrohemi Evropës, meqë duam të bëhemi anëtare e BE-së, apo jo? Ndërkaq, si të futemi atje pa regjistrim normal, serioz sipas standardeve ndërkombëtare? Me të dhëna të vjetruara, parelevancë”- tha deputetja e pavarur, Ljubica Buralieva.

“Përkundër grumbullimit të të dhënave përmes anketimit ose regjistrimit në terren, institucionet mbajnë evidencë për ndryshimet e popullsisë, për ndryshimet në kategori të ndryshme të jetës shoqërore në kuptim të evidencës së amvisërive dhe evidencë për të dhëna të tjera relevante përmes përditësimit të rregullt të regjistrave. Kështu që nuk pajtohem se ne bëjmë planifikime në bazë të të dhënave jovalide”- deklaroi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Sipas deputetes Buralieva, pezullimi i regjistrimit dhe mungesa e të dhënave të sakta me të drejtë hedh dyshime edhe në proceset zgjedhore si pasojë e listës zgjedhore.

Ndërkaq, deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu, pyeti kryeministrin dhe prokuron publik për procesin e dënimit të personave të përfshirë në falcifikimin e procesit zgjedhor në Komunën Çair. Përgjigjen për këtë çështje Aliu do ta marrë në formë të shkruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat