Devijon nga tema debati për provimin shtetëror

Maqedonia

Devijon nga tema debati për provimin shtetëror

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 15:32

Debati i sotëm për provimin shtetëror, mbajtur në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ka devijuar nga tema.

Profesorët pjesëmarrës në debat, në vend që të parashtronin argumentet e tyre kundër idesë së provimit shtetëror, ashtu siç u deklaruan, kritikuan Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për “anashkalimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës”.

Profesori Mersim Maksuti, dekan i Fakultetit Juridik, la të kuptohet se nuk është e drejtë kërkesa e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pasi Qeveria dhe Ministria nuk kanë bërë aq sa duhet për ta ndihmuar USHT-në.

“Ju kërkoni prej universiteteve kritere akademike shkencore, sepse më shumë na dhemb institucioni jonë, dhe cilësi të mësimdhënies dhe cilësi të njohurive të dijes së studentëve dhe njohuri të mjaftueshme profesionale të atyre, por në anën tjetër, sa keni bë ju si Ministri dhe si Qeveri sa i keni ndihmuar këtij institucioni që vërtet kërkoni kushte dhe kritere që i kërkoni sot dhe që i keni propozuar në arsimin e lartë”, deklaroi Maksuti.

I pranishëm në debat, ministri tha se nuk është vendi dhe koha për të diskutuar nëse jemi apo jo të diskriminuar, por për të folur për propozimet konkrete në lidhje me idenë e provimit shtetëror.

“Unë sërish do e them; ne sot nuk duhet të udhëhiqemi nga ajo a jemi apo nuk jemi të diskriminuar, do diskriminohemi apo do e ndërpresim atë. Pres propozim konkret nëse propozimi ynë, që 5 universitetet më të mira do organizojnë ciklin e tretë nuk është i mirë, cili është i mirë ta dëgjoj konkretisht”, tha Ademi.

Ai kërkoi nga pjesëmarrësit e debatit të shpjegojnë se ku shkelet autonomia e universiteteve, ashtu siç pretendonin disa prej tyre.

“Unë as nuk u pyeta, as nuk dëgjova, çka nënkupton autonomia dhe a cenohet autonomia me këtë provim apo nuk cenohet, cenohet liria e studentëve pao jo. Prandaj them të flasim më konkretish”, u shpreh ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat