Zgjidhen 100 kompanitë më të mira shqiptare

Maqedonia

Zgjidhen 100 kompanitë më të mira shqiptare

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 15:57

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri sot morri pjesë në Manifestimin tradicional ‘Top 100 kompanitë më të susksesshme shqiptare në Maqedoni’, në vitin 2013-të, të cilin për të katërtën herë me radhë e organizoi Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Në evenimentin që u mbajt hotelin Bushi Resort në Çarshinë e Vjetër, mirënjohje iu ndanë tre kompanive më të suksesshme shqiptare në vend, ndërsa ministri Neziri ndau çmimin special për kompaninë me rritje më të shpejtë gjatë tre viteve të kaluara.

Të gjithë atyre që u gjendën në këtë listë, tha ministri Neziri, u uroj për rezultatet e dëshmuara, sepse viti 2013, edhe pse solli një ngritje nga kriza globale ekonomike, gjithsesi nuk ishte i lehtë për sektorin e biznesit.

‘Unë jam i kënaqur që qarkullimi nga 100 kompanitë më të suksesshme shqiptare në Maqedoni gjatë vitit të kaluar ishte 524 milion euro, me çka ata marrin pjesë me 3% në qarkullimin e përgjithshëm në vend, që është 17 miliardë e 340 milion euro. Ndërkohë numri i të punësuarve në këto kompani është 5600, dhe është dëshmia më e mirë për rritjen dhe zhvillimin e këtyre kompanive, dhe me këtë edhe të vendimeve të drejta që kanë ndërmarrë menaxherët e tyre’, tha Ministri Neziri.

Ministri Neziri ritheksoi se Ministria e Ekonomisë, dhe Qeveria në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, përpiqen dhe japin maksimumin për të siguruar një klimë miqësore biznesi dhe një legjislacion që mundëson funksionimin e shpejtë dhe të lehtë të biznesit.

Kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, Menderes Kuçi sqaroi se përzgjedhja e më të mirëve është bërë në bazë të të dhënave zyrtare nga Regjistri Qëndror I Republikës së Maqedonisë.

"Të gjithë këta njerëz këtu unë i konsideroj heronj, sepse zhvillimi i biznesit të tyre do të thotë zhvillim i vendit tone, ndërsa vështirësitë me të cilat përballemi gjatë punës tonë, i ndajmë me Ministrin e Ekonomisë, i cili na mundëson partneritet në mes të komunitetit të biznesit dhe institucioneve", tha Kuçi.

Gjatë evenimentit u promovua edhe Katalogu TOP 100, në botim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, që paraqet një përmbledhje të rritjes dhe zhvillimit të kompanive nga sektorë të ndryshëm dhe pozicionimin e tyre në treg.
Top kompania më e suksesshme shqiptare në Maqedoni u shpall Dauti komerc, e dyta Alma M, ndërsa vendin e tretë me pika të barabarta e ndanë kompania Euromedia dhe Euroaktiva. Ministri Neziri ndau çmimin special për kompaninë me rritje më të shpejtë gjatë tre viteve të kaluara, që këtë vit i takoi kompanisë Nabizi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat