Memeti: Institucionet të respektojnë të drejtën e azilit

Maqedonia

Memeti: Institucionet të respektojnë të drejtën e azilit

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 12:30

Avokati i Popullit Ixhet Memeti u bëri thirrje sot të gjitha institucioneve të vendit të mos kufizojnë të drejtën e azilit për emigrantët nga vatrat e konflikteve.

Apeli u bë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve, që shënohet sot më 18 dhjetor.

“Në kohën e konflikteve ushtarake dhe krizave ekonomike, dëshmitarë i të cilave jemi sot dhe në kushte kur po rritet numri i emigrantëve, dhe po kështu edhe diskriminimi ndaj tyre, bëjmë thirrje për respekt, tolerancë, si dhe barazi në procedurat të cilat zhvillohen për këta persona, pa dallim të statusit të tyre”, tha Memeti.

Ai u shpreh se, duke pasur parasysh se edhe në Maqedoni është rritur numri i emigrantëve ilegal dhe kërkuesve të azilit, Avokati i Popullit u bën thirrje të gjitha institucioneve që ndaj këtyre personave të veprohet në mënyrë humane dhe të mos u kufizohet e drejta e kërkesës së azilit.

“...T’u sigurohet mbrojtje e barabartë shëndetësore, psikologjike dhe juridike, si dhe vendosje dhe qëndrim adekuat me përmbushjen e standardeve të kërkuara me kujdes të posaçëm ndaj grave dhe fëmijëve”, thuhet në deklaratën me shkrim të Avokatit të Popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat