Usht-ja sot shënoi njëzetvjetorin e themelimit

Maqedonia

Usht-ja sot shënoi njëzetvjetorin e themelimit

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 08:43

Dy dekada nga ligjëratat e para, të realizuara në auditoret e improvizuara nëpër shtëpi private, autoritetet e UShT-së sollën në kujtesë vullnetin e pamposhtur të shqiptarëve për arsim sipëror në gjuhën shqipe, por edhe kundërshtimin e dhunshëm të intitucioneve të kohës.
Në Akademinë solemne, Rektori i Universitetit, Vullnet Ameti tha se themelimi i UT-së ishte projekti më madhor i shqiptarëve për shekullin që lëmë pas.
“Themelimi i UT-së më 17 dhjetor 1994, padyshim se është projekti më i madh për shqiptarët e Maqedonisë në shekullin që lëmë pas. Ai u themelua në një kohë të turbullt historike dhe në rrethana të vështira, kur mbi shqiptarët ushtrohej një represion i paparë ideologjik dhe politik. Gjithsesi kjo situatë e rënduar paraqiste një brengë të madhe për shumë itelektualë shqiptarë të Maqedonisë, të cilët në vitin 1994 të prirë nga prof. Fadil Sulejmani e themeluan UT-në. Kjo ngjarje u mirëprit nga mbarë populli shqiptarë, por jo edhe nga politika shtetërore e kohës”, shprehet rektori i UShT-së, Vullnet Ameti.

Në këtë vit jubilar, UShT u ndau titullin Honoris Causa katër profesorëve universitar, dhe atë: Prof. Dr. Dhori Kule, Prof. Dr. Shezair Rrokaj, Prof. Dr. Petrit Bara dhe Prof. Dr. Mynir Koni. Titulli u ndahet për kontribut të posacëm në arsim, shkencë dhe kulturë, dhe për përkushtimin e tyre në njohjen, ngritjen dhe zhvillimin e UShT-së.
“Si tempull i dijes ka një rrugëtim epik, të vecantë. Nuk kam verifikuar dhe nuk di me c’kam lexuar, c’kam parë dhe c’kam verifikuar që të ketë të tillë histori ndonjë universitet tjetër në botë. Dhe ajo që kam parë në festimet e këtyre ditëve do të ndaja dy tre mesazhe të rëndësishme. I pari është institucioni i mirënjohjes”, shprehet fituesi i titullit Honoris Causa, Dhori Kule.
Universiteti Shtetëror i Tetovës tashmë është një institucion me traditë arsimore dhe veprimtarinë e tij e zhvillon në të dy cikle të studimeve, studimet themelore dhe ato të magjistraturës, gati në të gjithë 11 fakultetet dhe dhjetëra programet studimore, në të cilat i ndjekin studimet mbi 16 mijë studentë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat