PDSH-ja akuzoi BDI-në për diskriminimin e shqiptarëve

Maqedonia

PDSH-ja akuzoi BDI-në për diskriminimin e shqiptarëve

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 00:01

Opozita shqiptare e cilësoi BDI-në si ‘bombë’ të vetme për shqiptarët. Në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve, Orhan Ibrahimi akuzoi partinë në pushtet BDI-në për diskriminim e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, mungesën e fuqisë politike të saj për të tërhequr librat që fyejnë shqiptarët madje edhe për aksionet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike me anë të të cilëve pushteti siç tha ai po vjel haraç nga bizneset e vogla shqiptare.

“Asgjë nuk ka mister rreth bombës që e paralajmërojnë social-demokratët. Çfarë mund të jetë ajo bombë përveç se jeta e rëndë e shqiptarëve, rrahja,proceset e montuara politike,ekzodusi, plaçkitja, vrasja e tyre pa procese gjyqësore..Kjo është bomba e vërtetë që e pësojnë shqiptarët për këto 12 vite..U pru ligji për tekste shkollore dhe nga BDI u tha se do të stopohet infektimi, ndotja dhe helmimi i nxënësve të Maqedonisë me njësi mësimore ku ofendohet shqiptarët, ndodh e kundërta, të gjitha tekstet shkollore janë të njëjta..i shohim njësit speciale bashkë me inspektorët të hyrave publike që bëjnë haraç nëpër ato pak biznese shqiptare”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Partia shqiptare në pushtet preferoi të heshtte ndaj këtyre akuzave. Nga ana tjetër deputetja Sollza Gërçeva kritikoi ashpër testimin e ashtuquajtur shtetëror nga e cila siç tha ajo do të pësojnë studentët ndërkaq nuk mund të përmirësohet cilësia e arsimit siç pretendon pushteti. Megjithatë kryeministri Nikolla Gruevski arsyetoi edhe një herë domosdoshmërinë e kësaj mase në drejtim të përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë.

“Kur ta shikoni këtë ligj është një turli-tavë. Diçka është marrë nga Danimarka, diçka nga Polonia, Çekia, Hungaria. Kush luan me sistemin arsimor. Ai nuk është sikur ndërtimi i ndërtesave, që nesër kur të vijë dikush tjetër t’i ndërroj fasadat nga baroku në rokoko. Bëhet fjalë për studentët, njerëzit e ri që kanë nevojë për arsim solid”, u shpreh Sollza Gërçeva, deputete.

“Provimi shtetëror ka qëllim tjetër- fokusi është studenti të ketë njohuri minimale, nuk është me rëndësi koncepti se çfarë note ka dhënë profesori, por nëse studenti ka njohuri minimale për notë kaluese, 6. Qëllimi është që studenti ta mësojë atë që nuk kanë arritur ta mësojnë. Këtu nuk ka dënime dhe shpërblime për profesorët, por fokusohet vetëm tek njohuritë e studentëve. Nota minimale duhet të jetë 6-sha e njëjtë si në fakultetin ekonomik në Shkup ashtu edhe 6-sha në fakultetin ekonomik në Tetovë”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Kryeministri Gruevski njoftoi se testimi do të zhvillohet përmes kompjuterit ndërkaq atë do e përgatit Këshilli i akreditimit i përbërë nga profesorët më eminentë. Gruevski tha se kjo masë shumë shpejtë do të përgatitet në formë të propozim ligjit dhe do të vendoset në debat publik përpara miratimit të tij nga qeveria e më pas kuvendi. (Alsat-M)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat