Vendimi i Qeverisë: 60 ton naftë për shkollat fillore të Kërçovës

Maqedonia

Vendimi i Qeverisë: 60 ton naftë për shkollat fillore të Kërçovës

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 13:06

Një ditë pasi ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi paralajmëroi zgjidhjen, Qeveria mori vendim për furnizimin me 60 ton naftë të shkollave fillore në Kërçovë.

Lajmi bëhet i ditur për “Zhurnal” nga burime të larta të Qeverisë.

Me vendimin e sotëm të ekzekutivit, zgjidhet problemi i mungesës së ngrohjes së shkollave fillore, ku mësimi bojkotohet prej 3 javësh nga rreth 1.200 nxënës.

Zgjidhja e problemit konsiston në sigurimin e lëndës djegëse për shkollat fillore nga rezervat shtetërore të naftës.

Gjatë një takimi me gazetarë dje, ministri Ademi tha se komunat duhet të ndërtojnë kapacitete për menaxhimin e problemeve të shkollave dhe bëri thirrje për më shumë vigjilencë në shpenzimin e mjeteve që qeveria u akordon komunave për sektorin e arsimit.

Në lidhje me problemin e Kërçovës, ministri tha se zgjidhja që po ofron Qeveria nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e problemeve të ngjashme në të ardhmen.

Ai tha se MASH dhe Komuna e Kërçovës janë në komunikim të vazhdueshëm për të gjetur një zgjidhje të përhershme për problemin e ngrohjes dhe të transportit, shkak për të cilin është borxhi i prapambetur nga administrata e kaluar e Komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat