Ahmeti: Roli i SHBA në arritjen e zgjidhjes së emrit është i domosdoshëm

Maqedonia

Ahmeti: Roli i SHBA në arritjen e zgjidhjes së emrit është i domosdoshëm

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 00:33

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur të mërkurën në selinë e partisë në Tetovë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Pol Uolers. Me këtë rast, kryetari Ahmeti dhe ambasadori amerikan biseduan rreth zhvillimeve politike në Maqedoni, integrimet euroatlantike dhe kontestin e emrit, pjesëmarrësit në konfliktet e huaja, zgjedhjet brendapartiake si dhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët.

“Në çdo takim me autoritetet amerikane, Ahmeti thekson rolin e pamohueshëm pozitiv dhe inkurajues të SHBA-ve në rajon, andaj edhe shpreh pritjet që ky vend i rëndësishëm të cilin e zë Amerika në vend dhe në rajon të shfrytëzohet për të tejkaluar pengesat që po qëndrojnë midis Maqedonisë dhe integrimit në NATO dhe në BE. Rëndësia që BDI ia kushton procesit integrues euroatlantik është e jashtëzakonshme dhe prioritare për arsye se vetëm një Maqedoni në NATO dhe BE mund të jetë një vend stabil, në paqe dhe i sigurt, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore. Andaj, Ahmeti konsideron që roli i SHBA në lehtësimin e arritjes së zgjidhjes midis Shkupit dhe Athinës është krucial dhe i domosdoshëm”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Suksesi i këtij procesi, thuhet më tej, ka ndikim të madh në kultivimin e marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike, por edhe në zbatimin e reformave në vend për ti arritur standardet ndërkombëtare dhe BDI është partnere e miqve ndërkombëtar në arritjen e këtyre synimeve. “Bashkëbiseduesit gjithashtu diskutuan edhe për zgjedhjet brenda BDI-së, me ç'rast Ahmeti theksoi që çdo gjë po zhvillohet në kuadër të një debati demokratik dhe pret që procesi të përfundoj së shpejti. BDI gjithashtu përkrah përpjekjet për parandalimin e pjesëmarrjes së luftëtarëve nga vendi në konfliktet e huaja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat