Kreu i BFI-së: Shteti kërkon të më mbajë nën kontroll, por nuk mundet

Maqedonia

Kreu i BFI-së: Shteti kërkon të më mbajë nën kontroll, por nuk mundet

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 13:23

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame Sulejman ef. Rexhepi ka replikuar në distancë me kryeministrin Nikola Gruevski, i cili gjatë një intervistë televizive tha për kreun e institucionit islam se ka një dozë të lartë nacionalizmi.

Ef. Rexhepi tha se për të ka pak rëndësi se çfarë ka thënë kryeministri Gruevski, por shtoi se ndjen për detyrë të thotë të vërtetën në lidhje me komunitetin e torbeshëve.

Në deklaratën për Plusinfo, kreu i BFI-së tha se shkrimi i tij për kombin in vitro, i cili u referohej “maqedonasve myslimanë” ka pasuar ankesat e disa torbeshëve që janë shtrënguar të deklarohen ndryshe nga çfarë janë.

“Allahu le të më jetë dëshmitar se unë respektoj torbeshët e vërtetë. Nëse kryeministrit duhet t’i mbetet hatri ndaj dikujt, ky është partneri i koalicionit, partia e turqve në Maqedoni, kryetari i së cilës thotë se nuk ka torbeshë në Maqedoni, porse ata janë turq”, tha ef. Rexhepi.

Ai bëri me dije se Qeveria i ka marrë pasaportën diplomatike, edhe pse një e tillë u takon të gjithë krerëve të bashkësisë fetare.

Kreu i BFI-së dyshon se marrja e pasaportës është tendencë e shtetit për ta mbajtur atë nën kontroll.

“Qeveria më dha njëherë pasaportën diplomatike, por më pas ma mori. Duke e marrë pasaportën, deshën të më përçojnë mesazhin se duan të më kenë nën kontroll. Jo! Unë udhëtoj me pasaportën personale, edhe pse pasaportë diplomatike ka kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, por edhe krerët e tjerë kishtarë. Ja pra, unë udhëtoj me pasaportën time, por kur vendosin t’ia japin dikujt, pse ia marrin dikujt tjetër? Duan të më mbajnë afër? E jo pra, kjo nuk mund të ndodhë”, tha ef. Rexhepi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat