"Faji" i Edi Ramës për zëvendësimin e mësueses maqedonase!

Maqedonia

"Faji" i Edi Ramës për zëvendësimin e mësueses maqedonase!

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 11:52

"Buldozer politikat" e kryeministrit shqiptar, Edi Rama janë në qendër të një reportazhi të gazetës proqeveritare maqedonase "Dnevnik" për gjendjen e pakicës maqedonase në Shqipëri.

Gazeta vlerëson se Rama nuk respekton rekomandimet e Brukselit dhe Strasburgut për të drejtat e pakicave, të paktën në rastin e një mësueseje të gjuhës maqedonase në Prespën e Vogël, në një shkollë fillore në fshatin Dolna Gorica, që është nën juridiksionin administrativ të Korçës.

Njëri prej prindërve të nxënësve të këtushëm ka deklaruar se mësuesja është zëvendësuar në fillim të vitit shkollor, ndërsa ky vendim ka tronditur maqedonasit, sepse ajo është konsideruar mësuese e vyeshme.

"Ajo për pesëmbëdhjetë vjet mbajti orë të gjuhës maqedonase për fëmijët nga katër fshatra, Goricë e Epërme dhe e Ulët , Tuminec dhe Globocani. Tani nuk ka një mësues për ta mësuar gjuhën amtare".

Mësuesja e zëvendësuar Floreta Nikolla beson se autoritetet do të marrin parasysh kërkesën e komunitetit dhe do ta rikthejnë atë në punë.

"Dnevnik" shkruan se autoritetet vendase nuk pranojnë që të flasin për këtë çështje, por jozyrtarisht mësohet se mësuesja është një viktimë e lojërave politike dhe presionit të madh që qeveria e Ramës ka nga kundërshtarët politikë.

Një person nga komuniteti ka thënë për gazetën se nuk qëndrojnë arsyetimet e zyrtarëve se mësuesja është larguar për shkak të mungesës së kualifikimit të duhur.
Banorët kanë deklaruar se për këtë çështje është informuar dhe Ambasada e Maqedonisë në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat