Shqiptarët në Maqedoni edhe me katër parti të reja politike

Maqedonia

Shqiptarët në Maqedoni edhe me katër parti të reja politike

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 11:55

Katër parti apo lëvizje të reja politike do t`i shtohen skenës së re politike në Maqedoni, duke shtuar konkurrencën politike.
Lëvizja për reforma në PDSH e udhëhequr nga Ziadin Sela më në fund do të veprojë si strukturë apo lëvizje e pavarur politike në zgjedhjet e ardhshme, Lëvizja “Besa”, Partia Balli Kombëtar Demokrat dhe parapërgatitjet për një subjekt të ri të përkrahur nga diaspora në SHBA.

Konkurrencës politike do ti shtohen edhe subjektet PPD që është në prag të Kongresit të ri partiak, Bashkimi Demokratik Kombëtar, Bashkimi Demokratik Shqiptar.

RDK si forcë e tretë politike ka hequr dorë nga moratoriumi politik i veprimit dhe se edhe ky subjekt do të shtojë aktivitetet politike.

Në Maqedoni ende nuk janë shuar preferencat për formimin e partive politike shqiptare, numri i të cilëve po shkon drejt rritjes. Me këto lëvizje të reja politike, numri i përgjithshëm i subjekteve aktuale politike pritet të mbërrijë në rreth 20 parti, informon INA.

Në garën politike deri tani vazhdimisht kanë dalë subjekte të reja politike, të cilët konkurrojnë me programet e tyre politike për të tërhequr elektoratin.

Derisa në fillim të pluralizmit politik ka funksionuar vetëm një parti politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), 14 vite më vonë skena politike shqiptare pasurohet me dhjetëra parti të reja, shumica prej të cilëve kohë pas kohe kanë shuar aktivitetin e tyre politik.

Formimi i partive politike është shndërruar në një trend më të preferuar nga shumica e qytetarëve dhe grupacioneve të ndryshme, që synojnë ardhjen e tyre në pushtet. Përkundër kësaj situate, pozicion më të favorshëm në skenën politike shqiptare kanë Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare(PDSH), ndërsa ambiciet e këtyre lëvizjeve janë për të marrë elektoratin apo terrenin e këtyre dy forcave politike.

Nga ana tjetër, sondazhet e ndryshme të organizatave joqeveritare tregojnë një përqindje të lartë të qytetarëve që janë të papërcaktuar politikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat