Zëvendëskryeministri Besimi zgjidhet anëtar i “European Leadership Network”

Maqedonia

Zëvendëskryeministri Besimi zgjidhet anëtar i “European Leadership Network”

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 15:45

Rrjeti “European Leadership Network” (Rrjeti i Lidershipit Evropian) ka zgjedhur Zëvendëskryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, dr. Fatmir Besimin, anëtar të tij.

Rrjeti i Lidershipit Evropian ka për qëllim avancimin e idesë për Evropë kooperative dhe kohezive si dhe zhvillimin e kapaciteteve evropiane për bashkëpunim në politikën e jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë.

Ky rrjet aktiv funksionon përmes liderëve të saj politikë, ushtarakë dhe diplomatikë nga vende të ndryshme të botës, të cilët bëjnë hulumtime, shpallin publikime dhe organizojnë ngjarje në bashkëpunim me partnerët institucional nga Evropa dhe bota.

Qëllimi i këtij organizmi është edhe avancimi i bashkëpunimit në ekonomi, politikë dhe në fushën e energjisë, dhe në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat globale të të sotmes që kanë të bëjnë me çarmatimin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore, mbështetjen e demokracisë, ndryshimet klimatike etj.

Zëvendëskryeministri Besimi është anëtar i parë i këtij rrjeti evropian nga Maqedonia. Anëtarë të Rrejtit të Lidershipit Evropian janë edhe Havier Solana, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Federika Mogerini, Ministre e Jashtme e Italisë dhe aktualisht Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë në BE, Xhorxh Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s si dhe personalitete të tjera të shquara./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat