EcoGuerilla kërkon përvojat në luftimin e ndotësve

Maqedonia

EcoGuerilla kërkon përvojat në luftimin e ndotësve

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 11:27

Lëvizja EcoGuerilla nga Tetova ka filluar një iniciative për animimin e shoqatave ekologjike më me influencë në Maqedoni, rajon dhe më gjerë me qëllim të marrjes së mbështetjes të gjithanshme në luftën kundër ndotësve.

Në këtë drejtim, një delegacion i Lëvizjes EcoGuerilla ishte në Veles, ku takoi përfaqësuesit e shoqatës “Vila Zora”, e cila para tre viteve e fitoi betejën kundër ndotësit “Shkritorja e Velesit”.

Kjo shkritore për disa dekada derisa punoi shkaktoi rritje enorme të numrit të të sëmurëve me kancer ndërkohë që helmimi i qytetarëve të këtij qyteti shkoi deri në atë shkallë sa që edhe sot e kësaj dite lindin fëmijë me të meta fizike.
“Vila Zora” i dha një mbështetje të plotë misionit të EcoGuerillës që qytetarët e Tetovës dhe Pollogut në përgjithësi të kenë të drejtën të thithin një ajër që nuk do t’u sjellë atyre kancerin, astmën apo edhe sëmundjet tjera që shkakton ndotja enorme.

Përfaqësuesi i EcoGuerillës, Arianit Xhaferi tha se ky takim është i pari në vazhdën e takimeve të planifikuara dhe e vlerësoi të njëjtin si tepër të dobishëm
“Këtë takim e vlerësojmë si shumë të dobishëm dhe si një dëshmi që lufta për të drejtën njerëzore dhe kushtetuese për të thithur ajër të pastër dhe për të jetuar në një ambient të pastër sado që të jetë e mundimshme dhe e lodhshme,
është poashtu edhe e domosdoshme”, tha ai.

Xhaferi njoftoi se aktualisht po përgatitet për t’u hapur frontin ligjor duke kërkuar ta apelojë para Gjykatës Kushtetuese vendimin e qeverisë për prolongim të afatit të kompanisë ruse Jugohrom.

“Njëkohësisht, EcoGuerilla po përgatitet për të bërë ankesë përpara institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me vendimin e njëjtë të qeverisë. EcoGuerilla së shpejti do i drejtohet edhe Komisionit Evropian për Mjedis Jetësor, për t’i informuar edhe ata me vendimin skandaloz të qeverisë për të lënë nën ajër të helmuar mbi 200,000 banorë të Pollogut”, tha Xhaferi.

Merita Maksuti, një tjetër përfaqësuese e EcoGuerilla, e përshëndeti angazhimin e kryetares së komunës së Tetovës, zonjës Teuta Arifi që vuri në lëvizje ingerencat komunale si dhe mekanizmat e komunës për të nisur punën drejt zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë para së gjithash deponitë e egra, por edhe aspektet e tjera duke shpresuar që së shpejti do shohim rezultate konkrete.

“Nëse masat e pararapa dhe të premtuara si dhe obligimit e perditshme komunale nuk përmbushen , pakënaqësia e qytetarve nuk do mund të ndalet dhe do jete e drejtuar deri tek autoritetet lokale”, tha Maksuti.

Përfaqësuesit e EcoGuerillës informojnë të gjithë aktivistët dhe qytetarët e Tetovës se protesta të reja masive nuk janë paraparë të mbahen së shpejti, por se do ketë aktivitete të ndryshme “guerile” për të sensibilizuar qytetarët e Tetovës lidhur me helmimin që po ju ndodh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat