Myftaraj i drejtohet me letër të hapur Ali Ahmetit mbi Diplomën e Abdilaqim Ademit

Maqedonia

Myftaraj i drejtohet me letër të hapur Ali Ahmetit mbi Diplomën e Abdilaqim Ademit

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 21:15

Z. Ahmeti!

Që prej ditës së djeshme mediume të shumta të Maqedonisë, në gjuhën maqedone dhe shqipe më kanë kontaktuar për të më kërkuar që të deklarohem sërish mbi atë që kam shkruar disa muaj më parë në shtyp, mbi diplomën false të z. Abdilaqim Ademi, atëherë dhe sot ministër në Qeverinë e Maqedonisë. Unë e kam shumë mërzi që mbi çështje të tilla të ndjeshme për shqiptarët e Maqedonisë të shprehem në mediumet në gjuhën maqedone, interesimi i të cilave nuk më duket se shkaktohet nga dashamirësia për shqiptarët e Maqedonisë.

Nuk ka asnjë dyshim z. Ahmeti që Ministri i Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë, z. Ademi është mbajtës i një diplome të rreme universitare. Për të vërtetuar këtë, nuk është nevoja që të sjellësh shumë fakte, mjafton të shikosh jetëshkrimin zyrtar të z. Ademi në faqen zyrtare online të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë. Në këtë jetëshkrim zyrtar, që, e tepërt të thuhet, në mos është shkruar prej vetë z. Ademi në vetën e tretë, së paku është shqyrtuar me vëmendje prej tij para se të publikohej, thuhet ndër të tjera për arsimin e tij universitar:

“I lartë: Inxhinier i diplomuar i Metalurgjisë, Fakulteti Politeknik, Tiranë, 1996”

E njëjta gjë thuhet edhe në jetëshkrimin zyrtar të z. Ademi të kohës kur ishte Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit hapësinor, pra para zgjedhjeve të mbajtura këtë vit në Maqedoni. Kjo gjë mund të verifikohet lehtë në arkivin elektronik të Qeverisë së Maqedonisë.

Unë besoj se ju pajtoheni me mua z. Ahmeti, që kur një njeri shkruan së paku dy herë në mënyrë të njëjtë emrin e shkollës ku ka diplomuar, në dy raste kur ka qenë ministër, atëherë ky njeri është i bindur se ky është emri i saktë i shkollës, e cila është shënuar në diplomën e tij. Prandaj kur z. Ademi shkruan se është “Inxhinier i diplomuar i Metalurgjisë, Fakulteti Politeknik, Tiranë, 1996”, atëherë duhet menduar se z. Ademi është i bindur se në Tiranë ka ekzistuar një Fakultet Politeknik, ku kishte dhe një department apo katedër të metalurgjisë, në të cilin ka studiuar dhe është diplomuar z. Ademi. Problemi është, z. Ahmeti se në Tiranë, as në 1996, kur pretendon se diplomoi z. Ademi, as më herët dhe as kurrherë nuk ka ekzistuar një Fakultet Politekenik ku të studiohej metalurgjia. Që prej vitit 1991 në Tiranë ekzistonte (madje ekziston ende) Universiteti Politekenik, i krijuar si pasojë e ndarjes që iu bë Universitetit të Tiranës. Në Universitetin Politekenik të Tiranës ekzistonin disa fakultete në njërin prej të cilëve kishte një katedër të metalurgjisë, saktësisht në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike.

Është interesante se në jetëshkrimin zyrtar të Ministrit Ademi është dhënë saktë emërtimi i shkollës ku është doktorant:

“Doktorant në Fakultetin Teknologjik – Metalurgjik, UShKM Shkup”

Pra, shkolla ku z. Ademi ka doktoruar, ose është duke doktoruar është një nga Fakultetet e Universitetit Shtetëror “Kirill dhe Metodi” të Shkupit. Emërtimi i shkollës në jetëshkrimin e Ademit është korrekt. Kjo ka ndodhur për arsye se Ministri Ademi së paku ka shkelur në shkollën ku ai doktoroi, ose është në proces të doktorimit.

Por, z. Ademi nuk ka shkelur kurrë në shkollën ku mori diplomën bazike universitare në Tiranë. Ai thjesht bleu një diplomë në Tiranë, dhe në diplomën që bleu emri i shkollës ishte shkruar gabim: “Fakulteti Politeknik”. Në të vërtetë, nëse diploma e z. Ademi do të kishte qenë e rregullt, ishte dashur që në të shkruhej: Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike, Universiteti Politekenik i Tiranës.

Z. Ademi është mbajtës i një diplome universitare jo vetëm false, por për më tepër të falsifikuar keq. Z. Ademi duket se ka pasur dyshimet e veta për diplomën e tij, se në jetëshkrimin e vet zyrtar si deputet, të publikuar në faqen zyrtare online të Kuvendit të Maqedonisë, në 2002, ai nuk jep detaje për arsimin e vet universitar. Ky jetëshkrim është shumë lakonik: “Anëtar i BDI-së. U lind në 1969 në fshatin Jegunovcë, RM. Shqiptar. Përgatitjen të lartë shkollore. Pa përvojë pune. Jeton në fshatin Shemshovë.”

Një njeri që shkruan në jetëshkrimin e vet zyrtar për deputet “Përgatitjen të lartë shkollore”, pra të cilit i mungon aftësia minimale për të artikuluar mendimin e vet më të thjeshtë, atë të shkollës që ka kryer, tradhton veten si një njeri që ka blerë diplomën e tij.

Më vonë, kur z. Ademi u ndje më i sigurt, ai i lejoi vetes që ta publikojë përmbajtjen e diplomës së tij të rreme. Z. Ademi u detyrua që ta blejë diplomën se ai nuk i përfundoi studimet universitare, ku gjithashtu i blente provimet. Unë e di se z. Ademi këto ditë po bën përpjekje që ta mbulojë mashtrimin e tij me një mashtrim tjetër, duke marrë një tjetër diplomë false ku emërtimi i shkollës ku supozohet të ketë kryer studimet universitare bazike në Tiranë, është shkruar korrekt. Meqënëse diploma bazike universitare e z. Ademi është false, atëherë janë nul edhe masteri (magjistrimi) i tij, si dhe doktorimi. E vetmja diplomë e vlefshme e z. Ademi është ajo e gjimnazit “Kirill Pejçinoviç” në Tetovë, por me të ai nuk bëhet dot as mësues në fshatin e tij në Shemshevë.

Unë mendoj se z. Ademi nuk do të lejonte që të punësohej në ndonjë shkollë fillore të Maqedonisë një mësues në diplomën e të cilit të thuhej se ai ka kryer Fakultetin e Europës Juglindore në Tetovë. Se dihet që në Tetovë nuk ka një Fakultet të Europës Juglindore, por një Universitet të Europës Juglindore. Një person mund të jetë mbajtës i një diplome ku thuhet se ka kryer studimet në një nga fakultetet e UEJL. Nëse një person është mbajtës i një diplome ku thuhet se ka kryer Fakultetin e Europës Juglindore, kjo është padyshim një diplomë false. E njëjta logjikë vlen edhe për diplomën e Ministrit Ademi i cili ka “diplomuar” në Fakultetin inekzistues Politeknik të Tiranës.

Z. Ahmeti!

Ministri Ademi nuk mund të pretendojë se përmbajtja e diplomës së tij është shkruar gabim në jetëshkrimet e tij zyrtare si ministër, se kjo do të thotë që ai është njeri absolutisht i paaftë mendërisht. Një mësues katundi, i cili në dy jetëshkrime zyrtare që paraqet, ka shkruar gabim emërtimin e shkollës së tij, ku ka kryer studimet universitare, duhet të qortohet rëndë dhe madje të largohet nga puna si një njeri i papërgjegjshëm. Çka kur kjo ndodh me Ministrin e Arsimit? Faik Konica, në përrallën nga Zullulandi, u drejton shqiptarëve një apel dramatik duke iu thënë: “Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut.”

Konica e kishte fjalën për marrëzitë që bënin bashkëkohësit e tij rreth një shekull më pare, të ngjashme me diplomën false të Ministrit Ademi. I njëjti apel vlen për ju, z. Ahmeti, që jeni forca pas trajektores bizarre të karrierës së z. Ademi. Unë nuk iu adresova z. Ademi në këtë letër të hapur se e di që ai është një njeri absolutisht i papërgjegjshëm. Për të nuk ka rëndësi as dinjiteti i shqiptarëve të Maqedonisë, si dinjitet kombëtar, as kurrfarë gjëje tjetër që duhet të kishte rëndësi për të, si bartës i detyrave të larta shtetërore. Unë mendoj se për ju z. Ahmeti këto gjëra nuk janë krejt pa vlerë. Prandaj ju duhet ta largoni Abdilaqim Ademin nga qeveria që të marrë fund kjo përrallë e re nga “Zullulandi” e karrierës së tij politike e qeveritare. Abdilaqim Ademi duhet të japë dorëheqjen. Nëse ai nuk e bën këtë gjë z. Ahmeti, do të thotë nëse ju nuk ia kërkoni këtë gjë, atëherë mbi ju rëndon përgjegjësia e keqpërdorimit të gjakut të dëshmorëve të luftës së UÇK në Maqedoni, për të instaluar një Barbarizëm intelektual, kinse si përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë në institucionet e shtetit./Kastriot Myftaraj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat