Në Maqedoni, KOM-i lejon meshë në gjuhën shqipe

Maqedonia

Në Maqedoni, KOM-i lejon meshë në gjuhën shqipe

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 19:38

Me kërkesë të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni, Kisha ortodokes e Maqedonisë – Peshkopia e Ohrit miratoi që në tempujt kishtar të mund të mbahen mesha në gjuhën shqipe.

Liturgji në gjuhën shqipe, së shpejti, siç shkruan në numrin e sotëm gazeta “Dnevnik”, për herë të parë duhet të mbahet në njërën nga kishat ortodokse në Maqedoni, si shprehje e gatishmërisë së KOM-PO për t’iu përgjigjur kërkesave të shqiptarëve ortodoksë.

Tani për tani nuk dihet se kur dhe në cilën kishë do të mbahet mesha e tillë, por dihet se ceremonia do të bëhet në përkujtim të Kristo Bagerit, djalit të rilindasit të njohur shqiptar, Josif Bageri. Mësohet se mesha e parë mund të mbahet diku nga pranvera e vitit të ardhshëm. Shërbesa të këtilla dhe të ngjashme do të mund të organizohen pa pengesë çdoherë kur do të ektë nevojë dhe kërkesa nga besimtarët.

Sinodi i KOM-PO tashmë ka sjellë vendim me të cilin miratohet shërbesa e tillë, të cilën do ta kryejnë dy priftërinj që e dinë gjuhën shqipe.

Menjëherë pasi Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Peshkopata e Ohrit (KOM-PO) miratoi që në tempujt kishtarë të mund të mbahen mesha në gjuhën shqipe, Dioqeza e Kumanovës-Osogovës ka bërë punë të nderuar dhe ka përkthyer përmbatjen e saj edhe në gjuhën shqipe.Webi i dioqezes

Përmbajtjet në ueb faqen zyrtare të Dioqezës së Kumanovës-Osogovës së Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Peshkopata e Ohrit që dje janë edhe në gjuhën shqipe.

“Këtë hap e kemi ndërmarrë në interes të vizitorëve të cilët gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe”, theksohet në ueb faqen e Dioqezës së Kumanovës-Osogovës.

Publicisti, Branisllav Sinadinovski, shqiptar ortodoks, i cili edhe ka publikuar disa punime për shqiptarët ortodoksë, sqaron se Kristo Bageri është personalitet i veçantë.

“Përveç që është djali i rilindasit Josif Bageri, për të është më e njohur ajo që si 16-vjeçar kishte humbur jetën në një çetë komitësh në rrethinë të Manastirit. Kjo ka ndodhur në vitin 1906, tre vite pas Kryengritjes së Ilindenit. Edhe ai, si shqiptar ortodoks, e humbi jetën për Maqedoni të lirë, duke luftuar kundër turqve. Babai i tij e mbijetoi atë, ndërsa për vdekjen e djalit të tij shkroi edhe një elegji tejet të bukur”, thotë Sinadinovski dhe shton se ekziston nisma që atij t’i ngritet përmendore në Manastir.

Idenë për meshë në gjuhën shqipe nëpër kishat ortodokse e promovoi Branko Manojllovski, kryetar nderi i shoqatës “Josif Bageri”, e cila angazhohet për afirmimin e pjesëtarëve të këtij komuniteti, për çka gazeta tashmë ka shkruar para një periudhe të caktuar.

“Atë ide planifikojmë t’ua prezantojmë autoriteteve kishtare, për të gjetur mënyrë se si të realizohet”, tha Manojllovski, i cili jeton në fshatin mavrovas, Kiçenicë, por edhe në SHBA.

Sipas vlerësimit të tij, në Maqedoni ekziston një numër i dukshëm i shqiptarëve të besimit ortodoks.

“Një numër i madh i tyre ende nuk deklarohen si të tillë. Mbajtja e meshës në gjuhën shqipe do të ndihmojë për njohjen e tyre. Deri më tani kam kontaktuar me vëllazërinë nga Manastiri i Bigorit dhe prej atje më thanë se janë pozitivisht të disponuar për këtë ide”, thotë Manojllovski.

Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni e përshëndesin vendimin e KOM-it për mbajtje të liturgjisë në gjuhën shqipe, në nder të Kristo Bagerit.

Naim Iljazi nga shoqata “Josif Bageri”, e cila angazhohet për afirmimin e shqiptarëve ortodoksë, beson se liturgjia do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm.

“Për këtë i falënderohemi shumë KOM-it. Duhet të dimë se mirëkuptimi kulturor është kyç për një komunikim të ndërsjelltë më efikas dhe për ndërtimin e një koncepti qytetar për zgjidhje më të lehtë të moskuptimeve dhe problemeve shoqërore. për fat të keq, ekzistojnë njerëz që e theksojnë përkatësinë e tyre fetare apo etnike si më superiore në krahasim me bashkësitë e tjera etnike, të cilat i konsiderojnë si inferiore dhe të padenja për të marrë pjesë në proceset shoqërore për ndërtimin e vlerave të përbashkëta”, thekson Iljazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat