Nora Aliti: S’ka vend për parti të tretë

Maqedonia

Nora Aliti: S’ka vend për parti të tretë

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 12:55

Ndërkohë që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi i PDSH-së, me të madhe janë duke betonuar idenë në eloktoratin e tyre, se nuk u nevojitet një parti e tretë shqiptarëve të Maqedonisë, ata edhe për asnjë çast nuk kanë sqaruar opinionin se çfarë ka ndryshuar statusi juridiko – politik për të mirën e shqiptarëve, edhe tani kur njëri prej tyre i ka 20 deputetë në Kuvend, raporton Almakos.
Në një intervistë për Portalb, në këtë linjë mendon edhe deputetja e BDI-së, Nora Aliti e cila thekson se nuk ka nevojë shoqëria shqiptare e Maqedonisë, për lëvizje të reja politike, por se mjaftojnë këto ekzistuese.
“Lëvizja nuk krijohet por ndodh. “Besa” mund të jetë një parti politike por jo lëvizje. Në Maqedoni nuk ka hapësirë për parti të reja politike sepse përçajnë votën dhe humbim ne shqiptarët. Më shumë do të humbim se do të fitojmë. Ndërkaq, nuk na frikon reformimi që po bën Sela, por në të kundërtën është mirë të kemi një opozitë të fuqishme”, – thekson Aliti.
Indirekt, Nora Aliti duket se e kritikon kolegen e saj deputete nga BDI-ja, Kaltrina Azizin, e cila përkrahë ligjin për medie, ku pritet të përfshihen edhe portalet, duke thënë se deputetet e reja nuk paraqesin çdo herë domosdoshmërish qëndrimin partiak, pasi që ata japin edhe qëndrime individual.
Në pyetjen se, – “Deputetja e BDI-së tha në seancë plenare se duhet të futen edhe portalet në Ligjin për media, a do të thotë që partia juaj ka tendencë të tillë?”, Nora Aliti përgjigjet, – “Ju duhet të kuptoni se deputetet e reja nuk paraqesin çdo herë domosdoshmërish qëndrimin partiak. Ata japin edhe qëndrime individuale. Për prirjet e BDI-së ndaj mediumeve flet vet fakti që BDI ishte ajo parti që bllokonte ligjin për të mos i futur portalet në të. Ne duhet të fokusohemi që bashkërisht ti arrijmë qëllimet tona. Marrëdhëniet me mediat e shoh si një formë partneriteti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat