Jankullovska: Kemi prova për sulmin në qeveri

Maqedonia

Jankullovska: Kemi prova për sulmin në qeveri

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 15:35

Ekspertiza mbi sulmin ndaj godinës së Qeverisë ka mbaruar. Të gjitha të dhënat i janë dërguar Prokurorisë Publike për procedurë të mëtejshme.

Kështu deklaroi sot ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, sipas së cilës prokuroria do të vendosë se kur publiku do të informohet më shumë rreth këtij incidenti, njofton Alsat-M.

Jankullovska, nuk kishte përgjigje nëse incidenti ka karakter terrorist.

“Lidhur me këtë incident, MPB-ja veproi në bazë të të gjitha urdhrave të Prokurorisë Publike. Të gjitha provat dhe informacionet e deritanishme i janë dërguar Prokurorisë. Lidhur me informacionet të cilat janë të mjaftueshme për publikun dhe që duhet t’i dijë, Prokurori do të vendos se kur do t’i bëj publike dhe në çfarë forme do ta informon publikun lidhur më këtë incident”, tha Jankullovska.

Nga ana tjetër, ditë më parë ekspertët për çështje sigurie mohonin se sulmi ka të bëj me terrorizëm, pasi që sipas tyre si pasojë e sulmit nuk kishte viktima dhe dëme.

Ndërsa për analistët, sulmi ka për qëllim shpërqendrimin e opinionit.

Mbrëmjen e së martës, godina e Qeverisë u sulmua me dy predha. Incident i ngjashëm ishte regjistruar edhe në vitin 2007, por që asnjëherë nuk u bënë të ditur motivet dhe autorët e sulmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat