Administrata e Shkupit s’i bën hesap shqiptarët

Maqedonia

Administrata e Shkupit s’i bën hesap shqiptarët

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 19:54

Asnjë prej 15 sektorëve në administratën e qytetit të Shkupit nuk udhëhiqet nga shqiptarët.
Udhëheqësi i vetëm shqiptar në mandatin e kaluar, është shkarkuar nga kreu i ri i Shkupit, Koçe Trajanovski. Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në postet udhëheqëse në administratën e kryeqytetit u aktualizua edhe në seancën për pyetje këshilltarësh nga grupi i këshilltarëve të PDSH-së.
“Prej ardhjes në krye të mandatit nga ana e Koçe Trajanovskit kemi shumë dukuri negative, duke nënçmuar, poshtëruar dhe degraduar një popullatë të tërë. Pyetja konkrete është se para mandatit të tij, nga ish-kryetari i kaluar, Trifun Kostovski, kishim një shqiptar, dhe filloi të ketë lëvizje që të kemi shqiptarë udhëheqës në administratë. Por, me ardhjen e kryetarit aktual, edhe ai, i vetmi shqiptar është larguar, kështu që nga 15 sektorët nuk kemi asnjë shqiptar”, tha Idriz Orana i PDSH-së.
Por kreu i Shkupit vlerëson se kuadrot nuk duhen zgjedhur sipas përkatësisë etnike, por sipas ligjit, edhe pse përfaqësimi i drejt dhe adekuat është i garantuar me Kushtetutë.
“Duhet ta shikoni Ligjin për nëpunës shtetërorë. Aty nuk mund të zgjedhim sipas kombësisë... Edhe mua më vjen keq që nuk ka. Nuk bëhet fjalë për diskriminim, sidomos jo për diskriminim të qëllimshëm, siç u tentua të më imponohet, por përkundrazi, njeriu bëri gabim, duhej të zëvendësohet dhe pjesa tjetër rrjedh sipas Ligjit për nëpunës shtetërorë. Kështu që kur të jetë shpallja, do të isha i lumtur nëse dikush me kombësi shqiptare do ta fitonte vendin e punës. Ose nuk është patjetër shqiptar, le të jetë rom, serb, maqedonas ose çfarëdo qoftë”, u shpreh Trajanovski.
Sipas Avokatit të Popullit, përfaqësimi i shqiptarëve në Qytetin e Shkupit nuk kalon as 6%, ndërsa në postet drejtuese as 3%, duke e bërë kështu Shkupit ndër strukturat lokale më diskriminuese në këtë aspekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat