Arsyet e incidentit në Saraj, inatet politike dhe një vendim pune

Maqedonia

Arsyet e incidentit në Saraj, inatet politike dhe një vendim pune

Më: 26 tetor 2014 Në ora: 00:10

Mosmarrëveshjet mes dy taborëve në Saraj përflitet të jetë arsyeja kryesore për incidentin e mbrëmshëm në Kondovë. Sipas informacioneve jozyrtare, vëllezërit Jakupi janë të afërt me ish Ministrin e Drejtësisë Blerim Bexheti, ndërsa vëllezërit Neziri thuhet të jenë të afërt me kryetarin aktual të Degës së Sarajit dhe deputetin Rafiz Aliti. Megjithatë Aliti mohon që ngjarja të ketë karakter politik ose brenda-partiake, edhe pse thotë se që të gjithë të përfshirët janë aktivistë të BDI-së. Ai përgënjeshtroi gjithashtu mediat që informonin se incidenti ka ndodhur në mbledhje të Degës së BDI-së në Saraj.

“Janë spekulime ajo që është thënë në media se ka ndodhur ndonjë incident në mbledhje të kryesisë së degës, ose këshillave vendorë të BDI-së. Incidenti ka ndodhur në një kafene në fshatin Kondovë. Ne nuk dimë motivet se pse ka ndodhur zënka. Gjithsesi se personalisht i njoh të gjithë, janë elektorat dhe aktivistë të BDI-së, nuk janë pjesë të strukturave të degës apo nëndegëve”, deklaroi Rafiz Aliti, Kryetar i Degës së Sarajit.

Ndërkohë Blerim Bexheti nuk ishte i kapshëm për deklaratë lidhur me incidentin, pasi ndodhej jashtë vendit. Sipas asaj që mëson Alsat M, arsyeja e incidentit është një vendim pune i Jonuz Jakupit, i cili punon si ushtar i paguar në ARM. Para pak kohe atij i është ndryshuar vendimi i punës dhe është obliguar që të punojë në Veles, në vend se në Shkup. Vëllezërit Jakupi kanë dyshuar se pala tjetër e përfshirë në incident ka gisht në ndryshimin e vendimit, pikërisht për shkak të inateve politike, që zgjasin tashmë një kohë të gjatë mes dy grupeve rivale.

Tensionet mes dy grupeve ishin në prag të kulmimit pak përpara zgjedhjeve për kryetar dege në Saraj, në janar të këtij viti. Megjithatë pas ndërhyrjes së liderit të BDI-së Ali Ahmeti, grupi i udhëhequr nga Blerim Bexheti hoqi dorë nga dega dhe përkohësisht u shmangën tensionet. Megjithatë, rivaliteti mes dy grupeve u rikthye në skenë kur Kryesia e BDI-së sërish morri vendim që të shpall zgjedhje në të gjitha degët e BDI-së, përfshi edhe atë të Sarajit. Zgjedhjet nëpër degë duhet të përfundojnë deri në fund të këtij muaji, ndërsa Saraji pikërisht për shkak të problemeve, deri tani nuk ka arritur të organizojë kuvend zgjedhor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat