4 të plagosurit jashtë rrezikut për jetë, një tjetër në arrati

Maqedonia

4 të plagosurit jashtë rrezikut për jetë, një tjetër në arrati

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 20:20

Katër persona të plagosur, anëtar të BDI-së, është epilogu i zënkës së mbrëmshme në një lokal të Kondovës. Dy vëllezërit Jonuz dhe Zejdi Jakupi në njërën anë, janë përleshur me dy vëllezërit Neziri, Qaniun dhe Kenanin në anën tjetër. Të plagosur kanë mbetur dy vëllezërit Jakupi, bashkë me Qani Nezirin dhe personin M.M., i cili rastësisht është gjendur në kafene në momentin e zënkës, dhe nuk ka qenë i përfshirë në sherr. Ndërkohë Kenan Neziri është arratisur menjëherë pas ngjarjes.

“Gjatë hapjes së zjarrit, 4 persona kanë mbetur me lëndime trupore, prej të cilëve 3 kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në ngjarje, ndërsa njëri është gjendur në vendngjarje. Personi i katërt momentalisht është në arrati, pas tij gjurmohet intensivisht dhe është lëshuar flet-arrest”, tha Dejana Nedelkoviq, MPB.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17. Menjëherë pas incidentit, 3 të lënduar me armë zjarri janë pranuar në Qendrën Urgjente, njëri prej të cilëve me lëndime të rënda trupore, por që të 3 jashtë rrezikut për jetë. I plagosuri i katërt, Zejdi Jonuzi është dërguar në Spitalin e Qytetit “8 shtatori”. Drejtori i Spitalit theksoi se Jonuzi gjendet në kurim intensiv, por jashtë rrezikut për jetë.

“U sollën dy pacientë, njëri për shkak të rëndësisë së lëndimit është transferuar menjëherë në Qendrën Urgjente, ndërsa tjetri është trajtuar. Ka dy plagë në stomak, menjëherë është trajtuar. Pacienti është në shok-dhomë dhe jashtë rrezikut për jetë”, u shpreh Sasho Stojçev, Drejtor i Spitalit “8 shtatori”.

Mësohet se 2 prej të përfshirëve në incident, i lënduari Jonuz Jakupi dhe i arratisuri Kenan Neziri, punojnë si ushtarë të paguar, ndërsa i lënduari tjetër Qani Neziri është pjesëtarë i policisë. Policia nuk ka ende informata nëse ndonjëra prej armëve të përdorura i përket policisë ose ushtrisë.(alsat-m)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat