Zbulimi i hapësirës së re, shkak për vonesën e riparimeve në Kalanë e Tetovës

Maqedonia

Zbulimi i hapësirës së re, shkak për vonesën e riparimeve në Kalanë e Tetovës

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 20:14

Zbulimi i një hapësire deri më tani të panjohur për studiuesit e kalasë së Tetovë, ka qenë shkas për vonesat e deritanishme në riparimin e murit të rrënuar të portës hyrëse të kalasë. Kështu deklaron drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, Memet Selmani pas njoftimeve nga ministria e kulturës për lëshimin me kohë të mjeteve financiare për kryerjen e punimeve.

“Me rrëzimin e murit është lajmëruar edhe një hapësirë që nuk e kemi ditur se ka ekzistuar. Tash studiojmë të shohim se çka ka qenë kjo, punojmë me ekspertët e institucionit që drejtoj unë”, tha Memet Selmani, Drejtor i QNK-së, raporton Alsat M.

“Bisedohet pikërisht për këtë dhomëz që është pas nesh, dhe që është paraqitur me rrënimin e murit të kalasë mirëpo, janë duke u bë studimet tashi nëse e njëjta i takon infrastrukturës së kalasë apo ndonjë historie më të vjetër”

Sipas Selmanit, mjete për renovimin e kalasë janë lëshuar mjaftueshëm, por nevojitet disa javë kohë që të përfundojnë studimet dhe të fillohet me punë konkrete.

“Pa i bërë analizat gjeo-teknike të shihet se përse erdhi deri tek rrëzimi i murit a është rrëshqitje e dheut apo kemi ulje të dheut pra arsyet pse ka ndodh. Ne shpresojmë që për dy apo tre javë do i kemi këto analiza sepse nuk varet prej nesh por institucioneve që i bëjnë, dhe brenda javës do përpilojmë projektin që të përpiqemi së paku diçka të bëjmë këtë vit”, u shpreh Memet Selmani, Drejtor i QNK.

Muri i kalasë së Tetovës ka vite që është në këtë gjendje duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve ndërsa ka ndikuar shumë në reduktimin e vizitorëve të Kalasë së Tetovës, si të vendit po ashtu edhe atyre të huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat