PDSH nuk pranon të formohet komisioni anketues për incidentin

Maqedonia

PDSH nuk pranon të formohet komisioni anketues për incidentin

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 11:00

PDSH nuk pranon të formohet komisioni anketues për incidentin e ndodhur mes deputetëve shqiptarë.

Burime pranë saj thonë për “Dnevnik” se, megjithëse vendim partie nuk ka ende, një komision anketues ku do të mund të mbivotoheshin deputetët e PDSH-së, nuk është i pranueshëm për këtë parti, transmeton Zhurnal.

“Nuk kemi vendosur ende në lidhje me komisionin anketues, por nuk besojmë se do të pranojmë të marrim pjesë në një trup ku, sipas përbërjes aktuale parlamentare, përfaqësuesit e PDSH-së do të mbivotoheshin vazhdimisht. Në një situatë të tillë, epilogu i përfundimeve do të ishte i parashikueshëm”, thotë burimi i PDSH-së, i cili madje akuzon se “incidenti është organizuar sipas një skenari të BDI-së”.

Deputeti Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, ndërkaq, thotë se kjo çështje do të hapet të hënën, në takimin koordinues me kryetarin e Kuvendi Trajko Veljanovski.

Gjersa PDSH ngurron, BDI është e vendosur që të kërkojë formimin e komisionit anketues.

“Nuk kemi kërkuar mbështetje nga partneri i koalicionit për formimit e komisionit, por deputetët e VMRO-DPMNE-së janë në dijeni për këtë nismë, sepse ajo është bërë e ditur në një trup koordinues me kryetarin e Kuvendit, por edhe përmes medieve”, tha nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.

Dy muaj më parë, në ambientet e Kuvendit u përleshën fizikisht deputetët Orhan Ibrahimi nga PDSH dhe Rexhail Ismaili nga BDI./zhurnal

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat