Ademi takon akademikët, caktohen prioritetet

Maqedonia

Ademi takon akademikët, caktohen prioritetet

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 15:13

Bashkëpunim më i ngushtë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe përcaktim i prioriteteve të ardhshme, ishte tema kryesore në takimin e sotëm mes ministrit Abdilaqim Ademi dhe kryetarit të ASHAM-it Vlado Kambovski dhe anëtarëve të Bordit drejtues të Akademisë.

"Nga kryetari dhe përfaqësuesit e ASHAM-it u kërkua të kemi takime më të shpeshta, të marrim pjesë në përgatitjen e strategjive kombëtare për zhvillimin e shkencës dhe inovacioneve, për më shumë resurse të cilat duhet në të ardhmen të punësohen, ndërsa u përshëndetën edhe hapat për dhënien e bursave shkencëtarëve të rinj, për investime në laboratoret, për përkthimin e librave profesionsitë dhe për projektet e tjera në këtë fushë. Më vjen mirë që qasja e ASHAM-it dhe akademive në rajon tashmë po ndryshohet dhe më shumë punojnë në hulumtime dhe inovacione. Mendoj se kjo është ardhmëria e akademive dhe shteteve sepse shkenca është shtytës i zhvillimit të shteteve", deklaroi Ademi.

Kryetari i Akademisë Kambovski takimin e vlerësoi si shumë të dobishëm, posaçërisht për shkak se, siç tha, prej ministrit ka qenë i informuar se ka plane reale të përforcohet sektori i shkencës në MASH që është në pajtim me kërkesat e BE-së për përfshirjen e shkencës dhe arsimin sipëror në hapësirën e vetme të arsimit, shkencës dhe hulumtimit në BE.

Lidhur me angazhimet të shfrytëzohen sa më shumë fondet ndërkombëtare për veprimtarinë hulumtuese të cilat janë të qasshme për Maqedoninë, posaçërisht ata nga Bashkimi Evropian, Ademi njoftoi se MASH tashmë ka formuar njësit kompetent për zbatimin e programit "Horizonti 2020".

Në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Shkup, Ademi tha se dje dhe sot organizohen punëtori për personat dhe institucionet që të dinë se si të aplikojnë dhe të përgatitin projektet që t'i shfrytëzojnë mjetet që janë në dispozicion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat