Sela: Nuk duhet një lider i përjetshëm që bashkëpunon me shefat e UDB-së

Maqedonia

Sela: Nuk duhet një lider i përjetshëm që bashkëpunon me shefat e UDB-së

Më: 19 tetor 2014 Në ora: 23:26

Ziadin Sela, ka vazhduar nismën për reformimin e PDSH-së, me takimin e së shtunës në një debat të hapur me qytetarët e Kumanovës.

Në Kumanovë Sela u prit nga qindra të pranishëm, para të cilëve sqaroi qëllimin e iniciativës për të reformuar PDSH-në që sipas tij është proces i patjetërsueshëm për të mirën e gjithë shqiptarëve.

“Ne do e nisim këtë Lëvizje prej aty ku u nis dikur. Në mënyrë që të jemi më të denjë, të përfaqësojmë këtë popull të denjë siç janë shqiptarët në Maqedoni. Natyrisht, shumë gjëra ndodhën vetëm për të pamundësuar që një mendjendritur dhe një ideolog siç ishte Arben Xhaferi të arrijë qëllimet të cilat duhej të arrihen. Natyrisht në asnjë moment ne nuk u lodhëm por vazhduam të veprojmë, krenar dhe vigjilent”, tha Sela.

Sipas tij, kjo Lëvizje vazhdoi kështu deri në momentin kur një ditë përfundoi në një lider i cili nuk e ka të vështirë që rrënjët ti ketë shumë thellë poshtë restoranteve të Shkupit dhe zyrave të errëta të UDB-së. “Unë për vete, por edhe ju besoj nuk doni një lider që koketon me shefa të UDB-së. Prandaj është më se e nevojshme që të pastrojmë radhët. Të pastrojmë radhët sepse rruga të cilën e kemi nisur është shumë e pastër. Prandaj në këtë rrugë duhet të hyjmë me duar shumë të pastra”, tha Sela.

Sipas tij, Lëvizja për Reforma brenda PDSH-së është lëvizja që përfaqëson Partinë Demokratikë Shqiptare.” Kur e them këtë aspak nuk kam parasysh se kush ka vulën e partisë, se kush paska deputetët e partisë, se kush paska selinë e partisë. Sepse PDSH-ja është populli shqiptar. PDSH-ja është anëtari i saj, dhe ne përditë e më tepër e marrim legjitimitetin e PDSH-së. PDSH-ja është platforma e saj politike. Është Marrëveshja e Re politike që synon ta rregullojë statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, dhe ne do t’ia arrijmë”, tha Sela.

Sipas tij, për të arritur fitoren PDSH-ja duhet të bëjë ndryshime brenda vetes. “Ne aspak nuk duhet të krijojmë kulte individësh, ashtu siç i kemi krijuar këto vite. Sepse koha ka treguar që jemi zhgënjyer rëndë. Ne duhet të krijojmë kultin e gjithë popullit, duhet të krijojmë kultin e interesit të përbashkët, të të gjithë juve dhe jo interesin e veçantë”, tha Sela para qytetarëve të Kumanovës duke shtuar se PDSH-në do ta transformojmë në një subjekt të hapur për të gjithë shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat