Ahmeti: Anëtarësimi në NATO, provokim ndaj askujt

Maqedonia

Ahmeti: Anëtarësimi në NATO, provokim ndaj askujt

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 00:31

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, kreu i kësaj partie Ali Ahmeti ka pritur në takim pune ambasadorin e Bullgarisë në Maqedoni, Ivan Petkov.

Ahmeti dhe ambasadori biseduan për marrëdhëniet bilaterale, integrimin euroatlantik dhe për bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor.

Ahmeti mësohet të ketë theksuar nevojën për arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes për fqinjësi të mirë dhe të tejkalohet kjo çështje sa më shpejtë në interes të përbashkët.

Njëkohësisht, është shumë me rëndësi që lidhjet midis dy vendeve të intensifikohen edhe në aspekt kulturor, ekonomik dhe infrastrukturor.
Ambasadori bullgar foli për nevojën e arritjes së marrëveshjes dhe shprehu gatishmërinë e Bulgarisë për shënim të përbashkët të ngjarjeve historike si dhe fokusim të mëpastajmë në bashkëpunimin bilateral.

Ahmeti foli për gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh që do të jetë në të mirën e rajonit.

“Të njëjtën shpresojmë që ta arrijmë edhe me fqinjët tanë të tjerë dhe të tejkalojmë çështjet e hapura. Vetëm një rajon plotësisht i integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian mund të sigurojë paqe të qëndrueshme, siguri, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Integrimi në NATO dhe BE nuk është provokim ndaj askujt, por është përmirësim i padrejtësisë historike dhe realizim i përkatësisë së natyrshme të rajonit në Evropë”, mësohet të ketë thënë Ahmeti, duke komentuar deklaratën e sotme të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat