Kongresi i parakohshëm i PDSH-së, frikë nga Sela

Maqedonia

Kongresi i parakohshëm i PDSH-së, frikë nga Sela

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 13:48

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u paralajmëruan nga PDSH janë thjesht një arsye për të përshpejtuar mbajtjen e Kongresit të kësaj partie dhe shmangur në këtë mënyrë dëmin që mund t’i sjellin asaj aktivitetet e Ziadin Selës.
Kongresi i 6-të i PDSH-së i caktuar tashmë për në 12 tetor, ishte paralajmëruar fillimisht të mbahet në fillim të vitit 2015, por pas deklaratave të Selës se kongresi që do të organizonte ai do të mbahej brenda këtij viti, PDSH e Thaçit ka vendosur të veprojë më herët.

Si arsye për caktimin 3 muaj më herët të Kongresit, deputeti Orhan Ibrahimi theksoi ndër të tjera edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por sipas njohësve të zhvillimeve, kjo thjesht për të bindur anëtarësinë se nuk është frika nga Sela shkaku i mbajtjes para kohe të Kongresit.

Deputeti i PDSH-së Ibrahimi theksoi se në vend nuk ka stabilitet politik që është arsye për mbajtjen e zgjedhjeve. Për këtë arsye, ai ka thënë se PDSH-ja do të duhej të jetë e përgatitur duke zgjedhur strukturat e reja partiake.
Në fakt, brenda partisë më të madhe opozitare shqiptare po ndodh një çarje e madhe për shkak se grupi i reformatorëve të udhëhequr nga Ziadin Sela është duke u angazhuar për krijimin e strukturave paralele që pritet të rezultojë me mbajtjen e një kuvendi paralel zgjedhor përballë Kuvendit të PDSH-së së Menduh Thaçit.

Opsioni i zgjedhjeve të jashtëzakonshme shihet madje edhe si një kartë për të amortizuar problemet e brendshme partiake.

Analisti politik Mersel Bilalli ka thënë për “Zhurnal”, se nuk është logjike që çdo vit të mbahen zgjedhje, duke harxhuar mjete të qytetarëve. “Nuk mund askush t’ia japë vetes atë të drejtë që të mbahen zgjedhje sa herë që dikujt t’i kujtohet, ndërsa problemet reale nuk zgjidhen ashtu siç duhet të zgjidhen. Zgjedhjet në vetvete nuk ofrojnë ndryshim të veçantë dhe nuk kanë asnjëfarë logjike”, ka thënë Bilalli.

Karta e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, “joker” për t’i shpëtuar krizës së emrit
Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeje vlerësohet si një kartë që u lejon politikanëve qeveritarë që të amortizojnë presionin që u bëhet për shkak të ngecjes së çështjes së integrimeve evropiane dhe zgjidhjes së emrit. Në momentet kur ky ngërç politik arrin kulmin, shpërthen një debat për zgjedhje, që e tërheq vëmendjen e opinionit.

Analisti Bilalli thekson se gjithmonë kur duhet të afrohet çështja e zgjidhjes së emrit, dikush, në marrëveshje me dikë lëshon një sinjal që të ketë zgjedhje, në mënyrë që të amortizohet emri. “Këta janë vetëm shpëtimtarë të Gruevskit. Ai kur është ngushtë, çon sinjal për zgjedhje për t’i shpëtuar situatës ku gjendet”, vlerëson Bilalli.
Në fakt, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë kërkesa kryesore e LSDM-së, e cila deri tash është duke realizuar një dialog të pafrytshëm me partinë maqedonase në pushtet. Nga kampi i VMRO-së kanë përjashtuar këtë mundësi, duke u arsyetuar se kjo do të çonte vendin në krizë.

Analistë politik mendojnë se për partinë opozitare do të jetë shumë vështirë që të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje dhe nga bojkoti i institucioneve që nisi menjëherë pasi nuk u pranuan rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Analisti politik, Alajdin Demiri në një deklaratë “Zhurnal”, ka thënë se do të jetë e rëndësishme nëse opozita mund ta bindë pushtetin që të pranojë kërkesën e tyre që zgjedhjet t’i organizojë një qeveri teknike. Sipëas tij, nëse do të ndodhte kjo, do të shënonte një fitore të plotë të opozitës. (A. F.)/zhurnal/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat