Rama për Marrëveshjen e Ohrit, mediet maqedonase nisin fushatën kundër

Maqedonia

Rama për Marrëveshjen e Ohrit, mediet maqedonase nisin fushatën kundër

Më: 29 shtator 2014 Në ora: 14:19

Mediet maqedonase janë vënë në kërkim të argumenteve “kundër” për t’iu kundërpërgjigjur kërkesës së Tiranës zyrtare drejtuar Shkupit, për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.

Në kryeartikullin e saj të sotëm, me titull "Qeveria e Ramës nuk ka para për librat e maqedonasve dhe grekëve", gazeta “Dnevnik” shkruan për mungesën e librave në gjuhën maqedonase për nxënësit e këtij komuniteti në Shqipëri, transmeton Zhurnal.

Gazeta citon një prindër të paemër, i cili thotë se ndryshe nga shqiptarët në Maqedoni, fëmijëve maqedonas të Pustecit nuk u lejohet arsimimi në gjuhën maqedonase.

“Fëmijët tanë mësojnë nga libra të fotokopjuar dhe në gjuhën shqipe. Vetëm libri i Gjuhës Maqedonase është në maqedonisht, të tjerët janë në shqip”, citon gazeta prindin.

Prindi i shqetësuar, ashtu siç e quan gazeta bashkëbiseduesin e saj anonim, thotë më pas se “ky është një asimilim i heshtur, ndërkohë që autoritetet shqiptare mburren se ne (komuniteti maqedonas) po gëzojmë të gjitha të drejtat”.

Gazeta përfshin në artikull edhe deklaratën e kreut të Komunës së Pustecit, Edmond Temelko, i cili ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e përkujdesjes nga Qeveria e Tiranës ndaj pakicave në Shqipëri.

“Po, është e vërtetë se libra në maqedonisht nuk ka, nuk janë përkthyer dhe shtypur si duhet, por thjesht fotokopjohen librat në shqip dhe u jepen nxënësve me firmë. Qeveria dhe ministria gjegjëse duhet t’i përkthejnë dhe shtypin ato, ashtu siç ngjan”, thotë Temelko, duke nënvizuar se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Por gazeta thekson edhe problemin e librave në gjuhën greke, për komunitetin grek në Shqipëri.

Sipas saj, po ky problem që ka komuniteti maqedonas, vlen edhe për pakicën greke, dhe për këtë gjë i referohet deklaratës së nënkryetarit të Partisë Greke për të Drejtat e Njeriut, Tanos Poci.

Në fund të artikullit, me nëntitull “Rama kërkon, por nuk jep”, gazeta kujton deklaratën e kryeministrit Edi Rama për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe për garantimin e së ardhmes së shtetit.

“Padrejtësia e fundit mes shumë të tjerash që pushteti ekzekutiv socialist apo demokrat, pas rrëzimit të komunizmit, i ka bërë komunitetit maqedonas, është shuarja e komunave në rajonet Golo Bërdo dhe Gora. Maqedonasit kërkojnë që tre komunat nga njëri rajon dhe po kaq nga rajoni tjetër, të bashkohen në një komunë, e cila do të quhej Golo Bërdo dhe Gora”, komenton gazeta “Dnevnik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat