Abedin Imeri: PDSH-ja duhet të riformatohet

Maqedonia

Abedin Imeri: PDSH-ja duhet të riformatohet

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 13:32

Abedin Imeri - Kryetar i Keshillit Bogovine‏ përmes një video mesazhi ka folur rreth kërkesave të qytetarëve të Bogovinës të cilët ai i përfaqëson.

MESAZHI I PLOTË:

Të nderuar miq, përshëndetje të gjithëve,

Gjatë ditëve të kaluara jam takuar me shumë njerëz të profesioneve të ndryshme të cilët të gjithë e përkrahin Lëvizjen për Reformimin e Partisë Demokratike Shqiptare.

Të gjithë konstatojnë se PDSH-ja duhet të reformohet dhe rifreskohet për faktin e thjeshtë sepse shumë zgjedhje radhazi është opsioni humbës. Askush prej votuesve, asnjëri prej anëtarëve nuk dëshiron që PDSH-ja të vazhdojë të humb. Prandaj askush nuk voton askënd për të qenë lider opozite.

Mendoj që koha e Ndryshimit është Tani. Është koha kur të gjithë duhet të angazhohemi dhe të punojmë që të FITOJË PDSH-ja. Me fitoren e këtij opsioni dhe ngadhënjimin e kësaj ideje, DO TË LIND EPOKA E RE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT. Boll na gënjyen, t’i marrim punët në duart tona, të luftojmë me vendosshmëri që shqiptarët të jenë faktor në institucione dhe të barabartë në çdo sferë.

Miq të nderuar,

Po i drejtohem Bogovinës time, sepse dua të heq çdo drojë dhe frikë nga bashkëvendasit e mi. Ju garantoj të gjithëve se kjo është Lëvizja më e sinqertë politike dhe ne bashkërisht do ta çojmë përpara çështjen shqiptare. Më kujtohen emocionet kur luftonim bashkë në vitin 2001. Ishin emocionet e luftës për liri. Pikërisht ato emocione i kam edhe tani, pasi mendoj se amaneti i shumë dëshmorëve nuk ka shkuar në vend. Tani e kemi mundësinë për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve, tani e kemi mundësinë për ta bërë realitet ëndërrën tonë dhe gjithë shqiptarëve. Të angazhohemi me seriozitet dhe të gjithë pa dallim i madh e i vogël, profesor apo bujk, tregtar apo mjek, gazetar apo inxhinier, TË GJITHË TË BASHKOHEMI NË LËVIZJEN MË TË MADHE SHQIPTARE.

Të nderuar anëtar dhe simpatizantë të PDSH-së

Partia jonë ka një program të qartë kombëtar, por ky program dhe ky statut nuk respektohet. Nuk mund t’ua lëmë në duar partinë një grupi individësh, sepse PDSH-ja është shtëpia jonë që e ndërtuam me shumë mund. T’ia fillojmë punës, të bëhemi Zot në shtëpinë tonë, ta mbrojmë së bashku PARTINË DEMOKRATIKE SHQIPTARE, sepse ky është SHEKULLI I SHQIPTARËVE.

Ju faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat