VMRO-DPMNE paralajmëron zgjedhje të reja në nëntor

Maqedonia

VMRO-DPMNE paralajmëron zgjedhje të reja në nëntor

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 22:11

Partia në pushtet VMRO-DPMNE paralajmëroi për në nëntor mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni.
“Në rast se deputetët e opozitës të udhëhequr nga LSDM nuk kthehen në Parlament, në muajin nëntor do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski në një intervistë për televizionin Telma.

Sipas tij, koha do të tregojë se këto zgjedhje do të shpallen vetëm për 31 vendet e deputetëve të opozitës që kanë hequr dorë nga mandatet e tyre, apo për zgjedhje të përgjithshme për 123 vende të deputetëve.

“Afatet kushtetuese po vijojnë, duhet t`i jepet fund krizës politike. Nuk ka hapësirë për kalkulime. Nuk do të dëshiroja që kjo krizë politike të përfundojë në këtë mënyrë, dhe se çdokush duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Dimovski.

LSDM po bojkoton Parlamentin dhe ka hequr dorë nga mandatet e deputetëve duke mos njohur zgjedhjet e fundit. Kjo parti kërkon zgjedhje të reja por vetëm paraprakisht në rast se do të formohej një qeveri teknike.

Por, kërkesa e tyre është hedhur poshtë nga VMRO-DPMNE e Nikola Gruevski, duke qenë e hapur për kompromise, por duke përjashtuar kërkesën për qeveri teknike.

Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Parlament deri më 8 tetor. Ai ka theksuar se nëse këtë nuk e bëjnë deputetët e opozitës dhe duke vazhduar kushtëzimet e tyre, atëherë ai paralajmëroi thirrjen e një séance ku do të konstatoheshin dorëheqjet e deputetëve të opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat