Partitë maqedonase: Shpallja e Iliridës, provokim

Maqedonia

Partitë maqedonase: Shpallja e Iliridës, provokim

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 19:58

Partitë maqedonase sot kanë dënuar aktin e shpalljes së Republikës së Iliridës, ndërsa partitë shqiptare kanë heshtur.

Partia në pushtet VMRO-DPMNE ka dënuar ashpër deklaratën për shpalljen e Republikës së Iliridës.

“Këto ngjarje të bëra nga politikanë të margjinalizuar janë një përpjekje e varfër për të dëmtuar promovimin e respektit reciprok dhe mirëkuptimit mes qytetarëve”.

VMRO-DPMNE thekson se sovraniteti nuk është një gjë që mund ta ndryshojë kushdo.

“Këta njerëz tregojnë papjekuri dhe papërgjegjshmëri në sjellje. Këto përpjekje për të nxitur individët përmes çrregullimit të besimit reciprok duhet dënuar të gjitha palët”.

VMRO-DPMNE i bëri thirrje partive politike të mos abuzojnë me këto ngjarje të politikës ditore.

Partia më e madhe opozitare në Maqedoni LSDM, nëpërmjet një komunikate për mediat ka dënuar aktin e shpalljes së Republikës së Iliridës dhe e ka quajtur atë provokim.

Sipas tyre askush nuk ka të drejtë të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë dhe se pasojat e një hapi të tillë nga struktura të pandërgjegjshme rëndojnë mbi të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Ngjarjet e tilla janë rezultat i politikave të qeverisjes aktuale për ndarjet dhe ngritjen e tensioneve ndëretnike, partizanin e institucioneve partiake, ngecje në proceset integruese, varfërimit të qytetarëve dhe mungesës së perspektivës”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Komente dhe reagime kanë pasuar edhe nga parti dhe shoqata tjera maqedonase. Ndërsa përkrahja më e gjerë ka ardhur nga shoqata të mërgatës shqiptare.

Veprimtari Nevzat Halili me bashkëmendimtarët e tij shpalli dje Republikën e Iliridës.

Ceremonia u zhvillua pranë përmendores së Skënderbeut në Shkup, ku ishin tubuar edhe qytetarë dhe mediat për të ndjekur këtë ngjarje.

Kryetari i shpallur i kësaj Republike tha se ky vendim vjen duke u bazuar në kërkesat e shqiptarëve dhe mosrealizimin e të drejtave të tyre për dekadata të tëra në Maqedoni.(INA)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat