PDSH-ja përgatitet për Kongresin e VI

Maqedonia

PDSH-ja përgatitet për Kongresin e VI

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 20:26

PDSH-ja opozitare po përgatitet për kongresin e gjashtë të partisë i cili pritet të mbahet në dhjetor të këtij viti. Deputeti i këtij subjekti politik Orhan Ibrahimi i cili është zgjedhur si kryetar i këshillit për organizimin e kongresit të partisë tha se deri tani janë mbyllur emërimet dhe evidentimet në shumicën e nëndegëve dhe degëve të kësaj partie.
“Gjatë këtij vikendi me një sukses të plotë u rrumbullakuan aktivitetet partiake në disa vendbanime. Evidentimi i anëtarësisë, zgjedhja e kryetarëve të nëndegëve, zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së degëve, si dhe propozime për delegatët e kongresit përfunduan me sukses në degët e Shuto Orizares (Shkup), Krushevës, Manastirit, Resnjës dhe Ohrit. Vlen të përmendet se atmosfere ka qenë mjaft e relaksuar me prurje të reja dhe në një frymë demokratike në kuadër të strukturave tona”, deklaroi Orhan Ibrahimi, kryetar i këshillit organizativ të kongresit të 6-të të PDSH-së.

Por aktivitete paralele për organizimin e një kongresi të PDSH-së po mban edhe lëvizja për reforma në PDSH, të cilën po e udhëheqë kreu i Strugës Ziadin Sela. Kjo lëvizje tashmë çdo ditë është duke realizuar takime me qytetarët dhe nëndegët e PDSH-së. Në mbështetje të kësaj lëvizjeje deri tani kanë dalë shumë nëndegë të PDSH-së, ndërsa këshilla të lëvizjes janë formuar në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat