Neziri: Të bashkohemi për ta reformuar PDSH-në (VIDEO)

Maqedonia

Neziri: Të bashkohemi për ta reformuar PDSH-në (VIDEO)

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 13:33

Kryetari i Këshillit Iniciues për Reformimin e PDSH-së, në Tetovë, Adnan Neziri, nëpërmjet një video-mesazhi ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët e kësaj partie,dhe të gjithë qytetarët t’i bashkohen Lëvizjes për Reformim, iniciues i së cilës është kryetari aktual i Strugës, z. Ziadin Sela.

Më poshtë e keni përmbajtjen e plotë të Video-Mesazhit të sotëm, nga Adnan Neziri:

Të nderuar, miq, qytetarë, familjarë, biznesmenë e studentë, kudo që jeni,
I nderuari populli im shqiptar:
Jam këtu me një kërkesë konkrete që të gjithë t’i bashkëngjiteni Lëvizjes për reformim të Partisë Demokratike Shqiptare. Bashkëngjitja në këtë Lëvizje nuk është e rëndësishme vetëm për ardhmërinë Tuaj, por për ardhmërinë e gjithë shqiptarëve në Maqedoni.

Ne duam që shoqëria shqiptare të përparojë. Duam t’ua japim HAPËSIRËN e nevojshme të rinjve të talentuar, profesionistëve nga sfera të ndryshme dhe të vlerësojmë përvojën e pasur të më të moshuarve. Për këto shkaqe jam shumë i vendosur dhe i drejtpërdrejte, andaj sot kërkoj angazhimin e gjithsecilit.

Mos ri në shtëpi me pesimizëm, por eja dhe ndihmo. Mos u dëshpëro kur nuk gjen vend pune, por eja dhe ndihmo. Mos ki frikë më nga dinakët politik, sepse beso: Rruga jonë e vetme është për t’ua kthyer shqiptarëve respektin, sinqeritetin dhe dinjitetin. Mos i lejo askujt të të bind, se nuk është i mundshëm ky ndryshim. Pa marrë parasysh se je një djalë i ri apo një burrë i moshuar, një vajzë e re apo një nënë e përkushtuar, KY ËSHTË MOMENTI KUR DUHET TË BASHKOHEMI TË GJITHË PËR TË BËRË NDRYSHIMIN, DHE TI SHPALLIM LUFTË TË KEQES.

T’i përveshim mangët, të punojmë shumë, sepse duhet ta përmirësojmë ardhmërinë tonë.
Të nderuar miq, meqë po më jepet rasti të flas direkt me Ju,
Po ju njoftoj se Lëvizja për Reformimin e PDSH-së është në fazë mjaft të mirë të konsolidimit. Punohet në çdo vendbanim shqiptar, dhe euforia është tepër e madhe. Shumë shpejt do të krijohen Këshilla Iniciues në gjithë qytetet. Figura të dëshmuara kombëtare, profesionistë të dalluar dhe intelektualë të shumtë tashmë janë pjesë e Lëvizjes. TË GJITHË E DUAN NDRYSHIMIN. Gjej rastin të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe aktivistët në terren, profesorët e specialistët e kyçur në përpilimin e strategjisë serioze, dhe të bëj një BETIM para Jush:
Betohem se nuk do të devijojmë asnjëherë nga qëllimi ynë madhor për të faktorizuar shqiptarët në këtë vend. Do të luftojmë deri në fund të fitojmë të gjitha të drejtat që na takojnë, e që zhagiten brez pas brezi. Do të luftojmë deri në fund për perspektivë më të mirë për të gjithë shqiptarët. Beteja është e të gjithëve dhe vetëm me vendosshmëri dhe përkushtim do ta fitojmë. BETOHEM.
Miq të nderuar,
Të gjithë flasim për një ndryshim që na nevojitet. Flasim për ndryshim nëpër konferenca shkencore, flasim për ndryshimin në institucione, duhet të ndryshohet jeta jonë kulturore dhe sportive, shkruajmë për ndryshimin në analizat politike, shumë të rinj e të reja kërkojnë ndryshimin përmes shkrimeve në portale apo rrjete sociale. Unë po ju them me plot bindje se NDRYSHIMI ËSHTË KËTU MES NESH, DHE TASHMË KA FILLUAR.
Prandaj, të çohemi të gjithë në këmbë për ndryshimin që duam. Të bashkohemi dhe të japim kontributin tonë për këtë ndryshim.
Të respektuar miq, po ju drejtohem si baba i tre fëmijëve që kërkojnë çdo ditë një jetë më të mirë.
Vite me radhë besuam se ndryshimin mund ta bëjnë garniturat aktuale politike, por ata vetëm na gënjyen, dhe po na gënjejnë çdo ditë. PRANDAJ, NUK U BESOJMË MË. NDRYSHIMIN DO E SJELLIM NE – NDRYSHIMI DO TË VIJË NGA GJITHË POPULLI I CIVILIZUAR SHQIPTAR.
Prandaj bëhuni të gjithë pjesë e këtij ndryshimi.
Ju falënderoj të gjithëve nga zemra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat