Rasti "Monstra", nis nënshkrimi i peticionit

Maqedonia

Rasti "Monstra", nis nënshkrimi i peticionit

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 09:42

Protestat kundër dënimit të të gjashtë shqiptarëve për rastin “Monstra”, pritet të marrin një karakter më të gjerë. Këto protesta do të zëvendësohen me një peticion mbarëkombëtar kundër proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Vendimi është marrë nga drejtuesit e Këshillit për Organizimin e Protestave. Sipas tyre, revolta kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm, do të shprehet në një formë të re, përmes një peticioni që do të nënshkruhet nga shqiptarët në çdo vend ku ata jetojnë.

Sot pritet të nisë mbledhja e nënshkrimeve kundër dënimit të gjashtë shqiptare në disa qytete të Zvicrës.

“Ky peticion do të realizohet nëpërmjet hapjes së pikave të ndryshme nëpër qytetet e Maqedonisë ku qytetarët nëpërmjet nënshkrimit do të japin kontributin e tyre kombëtar dhe njerëzor. Për realizimin sa më të suksesshëm të këtij peticioni si formë e ndërgjegjësimit kombëtar do të hapen pika të ngjashme edhe jashtë Maqedonisë”, deklaroi Bedri Ajdari, Kryetari i Këshillit Organizativ të Protestave.

Organizatorët i bënë thirrje shoqërisë civile dhe qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë të mbështesin peticionin në kërkim të drejtësisë për shqiptarët e pafajshëm që sipas tyre, vuajnë dënime të padrejta në burgjet e Maqedonisë.

“Ftojmë qytetarët shqiptarë si dhe OJQ-të që të përkrahin këtë peticion, që nga organizimi dhe nënshkrimi formal i tij dhe të tregojmë që së bashku jemi kundër proceseve të montuara politike dhe kundër dhunës shtetërore të qeverisë maqedonase kundër shqiptarëve në Maqedoni”, tha Ajdari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat