Gëzim Ostreni: Paraushtarakë serb kishte në fshatra gjatë luftës së 2001-shit

Maqedonia

Gëzim Ostreni: Paraushtarakë serb kishte në fshatra gjatë luftës së 2001-shit

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 15:49

Shefit i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së Gëzim Ostreni në librin e tij, “UÇK-ja, shkaqet, lufta dhe paqja në Maqedoni në vitin 2001” vërteton informacionet e mediave serbe se në njësi të caktuara të policisë maqedonase, në Ratajë dhe Zhillc ka pasur rreth 400 vullnetarë nga Serbia, njoftojnë mediat shqiptare në Maqedoni.

“Sipas rrëfimit të një dëshmitari okular, në fund të muajit qershor në Tetovë, në mënyrë vullnetare nga Serbia erdhën 150 paraushtarakë, në krye me komandantin Filipoviq, të armatosur me armë të lehta, me uniformë të MPB-së së Maqedonisë dhe të Beretave të Kuqe”, – shkruan Ostreni në libër.

Sipas informatave të tij, ish zv/komandantit të Grupit Operativ 1, nënkoloneli Mile Petrovskit, i kanë thënë se vullnetarët kishin ardhur si sllav, të merrnin hak dhe t’i thernin gjithë shqiptarët. Petrevski kishte urdhëruar menjëherë që ata të linin kazermën, por pasi kundërshtuan, situata degradoi në rrahje, duke u dëbuar me dhunë nga kazerma.

“Pas largimit nga kazerma, ata u pranuan nga njësiti policor “Luanët”, i kryesuar nga komandanti “Mjekra” nga Prilepi, që ishin stacionuar në fshatrat Ratajë dhe Zhillc. Numri i përgjithshëm arriti deri në 400 paraushtarakë nga të cilët një pjesë u vendosën në Mavrovë”, -shkruan Ostreni.

Sipas autorit, në konflikt mori pjesë edhe Arkani, i cili në Maqedoni kishte interesat e veta të biznesit në tregti si dhe sport, si dhe kriminelë të tjerë nga Serbia. Ish zëdhënësi i ARM-së Bllagoja Markovski në deklaratë nuk mohoi pjesëmarrjen e individëve nga Serbia, të përfshirë në konfliktin e Maqedonisë, por se ata nuk kanë qenë pjesë e formacioneve ushtarake ose policore. Ish presidenti i Serbisë Boris Tadiq javën e kaluar i kërkoi falje Maqedonisë, për shkak të krimeve që bëri në këto territore xhandarmëria serbe. Mediat serbe vlerësuan se ai kërkon falje për pjesëmarrjen e policëve serb në konfliktin e armatosur në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat