Incidenti në Parlament thellon krizën politike

Maqedonia

Incidenti në Parlament thellon krizën politike

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 16:13

Parlamenti i Maqedonisë për deputetët e përfshirë në incidentin e së martës, ku nuk munguan grushtet e shqelmat, ka shqiptuar masën "vërejtje publike".

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, gjatë takimit me koordinatorët e grupeve parlamentare, në të cilin nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, LSDM dhe PDSH, por vetëm ai i VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, është shprehur se nuk mund ta pranojë dhunën si mjet për zgjidhjen e dallimeve politike dhe programore.

Analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri, konsideron se largimi i PDSH-së nga punimet e Parlamentit të Maqedonisë, pas incidentit të së martës, i cili rezultoi me dhunë mes deputetëve shqiptarë të PDSH dhe atyre të BDI-së kur po debatohej rishikimi i buxhetit të shtetit, ka thelluar në atë masë krizën politike, nga e cila mund të dilet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

”Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, që nga fillimi u pozicionua qartë duke mos i njohur zgjedhjet e fundit parlamentare dhe njëherësh refuzoi mandatet e deputetëve. Tani, kësaj situate më duhet të theksoj jo për arsye politike, por më shumë për arsye të reflektimit të një kulture politike të rrugaçërisë, si dhe për arsye të urrejtjeve dhe hidhërimeve personale, i shtohet një situatë e re, që nëse lexohet politikisht, do të thotë se prej sot funksionon vetëm me deputetët e mazhorancës”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Demiri.

Ndryshe nga ai, politikologu maqedonas, Vlladimir Misev, konsideron se nga kriza e krijuar politike, mund të dilet përmes realizimit të një takimi mes liderëve të partive kryesore politike parlamentare.

“Për vendosjen e një dialogu politik funksional, madje do të thosha normal, mund të kontribuojnë liderët e partive politike, të cilët do të bisedonin hapur për problemet në një tryezë të përbashkët, edhe pse jam i mendimit se në këtë moment kërkesat e Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë janë më parimore krahasuar me ato të partisë shqiptare në opozitë, të cilat u bënë publike pas incidentit të djeshëm në Parlament”, vlerëson Misev.

Ai i konsideron të kota takimet e përfaqësuesve politikë në kuadër të komisioneve anketuese ose koordinatorëve të partive politike, meqë, sipas tij, strukturimi i partive politike në Maqedoni është i atillë që fjala kryesore për çdo gjë i mbetet liderit të partive politike dhe jo organeve partiake.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri.

Sipas tij, kriza politike në Maqedoni, pas mosnjohjes së rezultatit zgjedhor të prillit, nga partia politike maqedonase, LSDM dhe së fundmi bojkotimi i punimeve të Parlamentit edhe nga partia shqiptare në opozitë, PDSH, do të rrisë presionin ndaj Qeverisë veçanërisht kryeministrit Gruevski, si nga faktorët politikë të brendshëm, ashtu edhe ata ndërkombëtarë.

“VMRO DPMNE-ja do të vazhdojë me injorimin e kërkesave të opozitës, do të vazhdojë të funksionojë sikur asgjë nuk ka ndodhur, mirëpo në esencë do të thellojë edhe më shumë krizën e krijuar politike në vend”.

”Vendimet, të cilat do t`i ndërmarrë duke filluar nga vendimet e sotme për ndryshimin e Kushtetutës, të cilat ndryshime janë më shumë dekorative sesa esenciale, do të jenë jolegjitime, sepse nuk kanë mbështetjen edhe nga ana e opozitës, meqë ajo është e përjashtuar”.

“Më duhet të theksoj se gjatë muajve të ardhshëm krizat do të jenë gjithnjë e më të thella dhe më të rënda në aspektin politik. Mendoj se gjatë fillimit të vitit të ardhshëm, kryeministri Nikolla Gruevski do të jetë i detyruar t’i pranojë kërkesat e LSDM-së që kanë të bëjnë me formimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë zgjedhje të parakohshme”, vlerëson Demiri.

Ndryshe, PDSH-ja pas incidentit të së martës në Parlament ka bërë të ditur se e braktis Parlamentin.

Kreu i Grupit Parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu, ka kërkuar ngritjen e procedurës penale ndaj deputetëve të BDI-së, ndërkaq partia shqiptare në pushtet, BDI, ka kërkuar formimin e një komisioni anketues për zbardhjen e incidentit – ndërsa të mërkurën Parlamenti po vazhdon punimet sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat