Diskriminimi ndaj USHT-së, nuk e merr as gjysmën e merituar

Maqedonia

Diskriminimi ndaj USHT-së, nuk e merr as gjysmën e merituar

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 22:32

Në prag të regjistrimeve të reja nëpër universitetet e vendit,ju rikujtojmë për sasinë e parave që ata i marrin nga shteti. Të rikujtojmë se nga universitetet shtetërore, ai i Tetovës nuk e merr as gjysmën e merituar. Në buxhetin për vitin 2014 në Maqedoni janë ndarë 5.729.566 denarë për universitetet, prej të cilëve Kirili Dhe Metodij ka marrë 3.504.594 denarë, Universiteti Kliment Ohridski-Manastir 760.295 denarë, Universiteti i Tetovës, 635.101 denarë, Universiteti Goce Delçev-Shtip, 646.516 denarë, Universiteti i Informatikës dhe Teknologjisë-Ohër, 140.960 denarë, dhe universitetet tjera private jo-profitabile shumën simbolike 12.000 denarë.

Pavarësisht se të gjithë universitetet e lartëpërmendura, përveç USHT-së, kanë shumicën dërrmuese të lëndëve dhe studentëve maqedonas, ata sëbashku marrin 89% të financave, duke i lënë USHT-së shqiptare, vetëm 11%.

Sipas Marrëveshjes së Ohrit, dihet që shqiptarët duhet të financohet minimalisht 25%, po aq sa janë edhe banorë, duke na lënë të kuptojmë qartazi se financimet ndaj USHT-së janë shumë herë më të ulta. Me këtë ndarje fondesh, bien në ujë pretendimet e BDI-së se punojnë në avancimin e arsimit të lartë dhe vërehet diskriminimi i madh që me votimin e buxhetit të tillë, vet kjo parti ia bën arsimit shqip.

Petrit Pollozhani: BDI duhet të punojë më me energji

“Kjo që ndodh me universitetet dhe financimin e arsimit shqip në Maqedoni është në kointinuitet dhe normalisht edhe diskriminues në bazë të cdo gjëjë. Partia në pushtet duhet të punojë më energjitikisht për financimet e universitetit shqiptar, pasi sistemet që nuk paguhen ose sëpaku sipas meritës ata dështojnë , pikërisht këtu është një problem serioz pasi universitet jane institucione ku kryhen inovacionet. Pra në këtë rast financimet janë ata që e ngrejnë apo e ulin cilësinë.” – tha për mediat shqiptare, profesori universitar Petrit Pollozhani.

Rexhepi: Investimi në arsim është shumë herë më i ulët sesa në vendet e UE-së

“Duhet të kemi parasysh se arsimi në Republikën e Maqedonisë është në një situatë shumë të rëndë buxheti i cili i dedikohet arsimit në përqindje të GDP është shumë më i ulët se në shtetet të Unionit Evropian (afër 6%). Përqindja e buxhetit i cili dedikohet arsimit në GDP në Danimarkë arrin 8.8%, Qipro afer 8%, Suedi dhe Finlandë rreth 7% e kështu me radhë, dhe kjo bëhet në kontinuitet. Fatkeqësia është se edhe në këtë buxhet shumë të ulët universiteti shtetëror i Tetovës merr një pjesë jashtëzakonisht shumë të ulët (vetëm 11%) ndërsa Universiteti i Evropes Juglindore edhe këtë vit fatkeqësisht ngel jashtë buxhetit. Edhe pse shqiptarët në Maqedoni jane 25% personalisht mendoj se universitetet shqiptare duhet të kenë një buxhet edhe më të lartë se 25% pasiqë do të duhet vite qe universitetet shqiptare të arrinë ti kenë të njëjtat kushte pune në krahasim me Universitetin e Kirili dhe Metodi. Buxheti ndikon drejtpërdrejt në cilësi pasi që imponon rroga të ulta për profesorët, buxhete të ulta për hulumtime, grupe të mëdha të studentëve, mungesë të laboratorëve e kështu me radhë. Kjo sigurisht që është problem i të gjithë ne pasi që nga këta universitete do të varet dhe rruga që do të ecim në të ardhmen”, tha mes tjerash ekonomisti dhe profesori Gadaf Rexhepi.

Nga Ministria e Arsimit, ku tani udhëheqet nga një shqiptar, Abdylaqim Ademi, kanë qenë të pa kapshëm për redaksinë tonë dhe për të komentuar mbi këtë problem madhor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat