Ahmeti: Shqiptarët nuk e njohin Ivanovin si president

Maqedonia

Ahmeti: Shqiptarët nuk e njohin Ivanovin si president

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 22:59

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, sot në selinë e partisë në Tetovë ka pritur ambasadorin e SHBA-së në vend, Poll Uolers.

Siç thuhet në kumtesën e BDI-së, bashkëbiseduesit shkëmbyen opinione rreth zhvillimeve politike në vend, integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe zgjidhjen e çështjes së emrit, marrëdhëniet ndëretnike, dhe reformat në vend.

Ambasadori amerikan theksoi që vizita e Viktoria Nuland, ndihmës sekretares së Sekretarit të Shtetit Amerikan, në Shkup ka qenë e frytshme dhe shpreson që pikat e diskutuara do të realizohen në të ardhmën e afërt.

“Synimi strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike dhe ky proces paraqet çelës për stabilitetin e vendit, por medhe të rajonit”, tha Uolers.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mirëmbajtjes së marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike si shtyllë e stabilitetit të vendit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Ahmeti nënvizoi që zhvillimi i marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike mbetet prioritet dhe theksoi gatishmërinë për të investuar përpjekjeje të shtuara për tejkalim të ndasive midis komuniteteve.

Një pikë e rëndësishme që bashkon komunitet në Maqedoni dhe ndikon mbi stabiltietin në vend dhe zhvillimin ekonomik është integrimi i Maqedonisë në NATO dhe pikërisht për këtë, Ahmeti kërkoi angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar që të tejkalohet kontesti me emrin me fqiun tonë jugor.

Në lidhje me legjitimitetin e kontestuar të presidentit të vendit, Ahmeti vlerësoi se shumica absolute e shqiptarëve nuk ka votuar në zgjedhjet presidenciale dhe nuk ndjehet e përfaqësuar nga presidenti aktual të cilit i mungon legjitimiteti i votës shqiptare.

“Në zgjedhjet presidenciale të 13 dhe 27 prillit, shqiptarët u përcaktuan kundër konceptit të zgjedhjes së presidentit një partiak dhe u përcaktuan për konceptin e konsensualitetit, pajtimit dhe të përfaqësimit të barabartë në institucionin e presidentit. Në mungesë të legjitimimit nga ana e elektoratit shqiptar, presidenti aktual nuk mund të pretendojë që i përfaqëson edhe shqiptarët dhe të sjell vendime edhe në emër të tyre”, theksoi Ahmeti.

Lideri i BDI-së gjithashtu foli edhe për nevojën imediate të reformimit të gjyqësorit që të krijohen parakushte për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj drejtësisë. Ngarkesat e disa gjykatësve dhe prokurorëve të caktuar po i vështirësojnë edhe reformat në sundimin e ligjit, por edhe bashkëjetesën dhe marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat