Përfundon protesta, protestuesit filluan të shpërndahen

Maqedonia

Përfundon protesta, protestuesit filluan të shpërndahen

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 09:49

(E plotësuar) Protestuesit nuk shpalosën kërkesat e reja pasi siç shprehen, qëllimi i tyre nuk është të shpalosin kërkesat para kordonit policor por para qeverisë. Këshilli i protestuesve bëri thirrje për shpërndarje dhe dal ngadalë ata kanë filluar të shpërndahen.

Ish deputeti Hysni Shaqiri kërkoi nga gjykata që të shpalosin dëshmitë mbi të cilat janë gjykuar të burgosurit në rastin “Monstra” dhe në bazë të këtyre dëshmive “edhe ne do të pranojmë vendimin, derisa nuk shpalosen dëshmi të qarta nuk do ndalohet protesta”.

Bedri Ajdari nga Këshilli organizativ kundër rastit ”Monstra” deklaroi se protesta me procedurë të rregullt është paraqitur në polici, por prap se prap ato nuk lejohen që të depërtojnë dhe të protestojnë para Qeverisë. Ai tha se kanë kërkesa të reja por do ti shpalosin para Qeverisë dhe lusin policinë që ti lejojë të depërtojnë dhe të arrijnë në destinacionin e tyre final, që është Qeveria.

Dhjetëra qytetarë kanë filluar protestën nga kompleksi “Çairçanja” duke kërkuar drejtësi për rastin “Monstra”. Kordoni policor është stacionuar te udhëkryqi te ‘Mavrovasja” dhe nuk lejojnë që protestuesit të depërtojnë për të protestuar para gjykatës në Shkup.


Ia nis protesta

Ka nisur protesta e paralajmëruar nga Këshilli organizativ për protesta. Siç edhe është paralajmëruar, tubimi i njerëzve ka nisur në vendin e njëjtë - para kompleksit “Çairçanja”.

Këshilli Organizativ dhe Koordinues për rastin e montuar politik ‘Monstra’ , pati ftuar publikisht kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti që me Kryesinë e partisë së tij, ta shqyrtojnë mirë pozicionin e tyre në këtë qeveri maqedonase, kryekëput antishqiptare si dhe të dalin në ballë të protestave e të jenë me popullin e vet, popull i cili çdo ditë po dënohet dhe po ofendohet nga qeveria ku është pjesë edhe ai me partinë e tij.

Organizatorët kanë ftuar edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare PDSH, RDK, si dhe kryetarët e komunave shqiptare, hoxhallarët, intelektualët, dhe të gjithë shqiptarët paqedashës, që ditën e premte të jenë pjesë e protestës mbarëkombëtare.

Shkup, vazhdojnë protestat për rastin “Monstra”
Këshilli Organizativ për rastin “Monstra” thotë se të premten nga 13:45 do të vazhdojë me protestat paqësore deri në lirimin e të gjithë të arrestuarve nga procesi i montuar politik “Monstra”.

Kryesues i Këshillit Organizativ Koordinues si dhe njëri nga familjarët e të dënuarve në rastin Monstra, Bedri Ajdari deklaroi se, qeveria maqedonase po dëshmon se është kryekëput kundër shqiptarëve dhe vlerave tona kombëtare e fetare.

“Rasti i gjykimit të 6 qytetarëve nga 3 vite burg dëshmon edhe një herë që kjo qeveri dëshiron ta ngulfat zërin e lirë të qytetarit, zë ky i garantuar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.Prandaj, ne Këshilli Organizativ dhe Koordinues për rastin e montuar politik “Monstra” , publikisht e ftojmë kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin që me kryesinë e partisë së tij, ta shqyrtojnë mirë pozicionin e tyre në këtë qeverimaqedonase,kryekëput antishqiptare si dhe të dalin në ballë të protestavee të jenë me popullin e vet , popull i cili çdo ditë po dënohet dhe po ofendohet nga qeveria ku është pjesë edhe ai me partinë e tij”, deklaroi Ajdari për media.

“Poashtu ftojmë edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare BDI,PDSH, RDK, si dhe kryetarët e komunave shqiptare, hoxhallarët, intelektualët, dhe të gjithë shqiptarët paqedashës , që ditën e premte të jenë pjesë e protestës mbarëkombëtare, sepse më nuk janë vetëm familjarët tanë ata për të cilët duhet ngritur zëri, por ky numër fatkeqësisht çdo ditë po shtohet”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat