Reshjet vështirësojnë qarkullimin edhe në Shkup

Maqedonia

Reshjet vështirësojnë qarkullimin edhe në Shkup

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 21:21

Shkupi u përfshi pasdite nga një mot i keq me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë prej rreth 50 kilometra në orë. Më tepër janë goditur komunat e Aerodromit, Kisella Vodës, Gazi Babës dhe një pjesë e Çairit dhe Qendrës, ku një sasi e madhe e shiut e ka vështirësuar qarkullimin dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Nënkalime të përmbytura e kanë bllokuar qarkullimin e një pjese të bulevardeve.

Kanë intervenuar ekipet e ndërmarrjeve publike "Ujësjellës dhe kanalizime", "Higjena komunale", "Rrugë dhe rrugica" dhe nga Qendra për ballafaqim me kriza, të cilët e kanë thithur ujin nga rrugët e përmbytura. Qytetarët kanë paraqitur dëme edhe të çative të shtëpive të ndërtesave, thyerje të pemëve, podrume të përmbytura...

Sipas punonjëses sinoptike kujdestare në Drejtorinë e Punëve Hidrometrologjike Lena Jovanovska, moti i ndryshueshëm do të vazhdojë deri në fund të ditës, në disa vende në rajonet e Shkupit do të ketë mot jostabil i vranët me reshje intensive të shiut bubullima dhe përforcime me erë.
Lokalisht pritet që të ketë edhe shira të rrëmbyeshëm mbi 35 litra në metër katror. Të shtunën moti do të stabilizohet, ndërsa pasdite priten reshje të izoluara të shirave të shkurtër në pjesët malore. Mot stabil dhe i ngrohtë pritet të dielën dhe të hënën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat