Një parti e re politike shqiptare do të bëhet gjithnjë e më e mundshme në rast se partia shqiptare në pushtet nuk arrin që gjatë këtij viti të ketë sukses për të përmbushur premtimet për integrimin e vendit në strukturat evro-atlantike.
Samiti i NATO-s dhe vendimet që do të merren gjatë këtij viti nga institucionet e BE-së mund ta lënë Maqedoninë jashtë, duke krijuar kështu kushte të volitshme për një subjekt të ri politik, vlerësojnë analistët.
Analisti politik Ismet Ramadani thekson se personalisht nuk ka informacione se kush qëndron prapa një nisme për një parti të re, por vet fakti se ka një pakënaqësi nga veprimi i dy partive kryesore shqiptare lë të kuptohet se dikush megjithatë do të lëvizë dhe do të gjejë hapësirë për të formuar ndonjë subjekt apo lëvizje për të ndryshuar diçka në politikën shqiptare.
"Një iniciativë e re është shumë e mundshme në qoftë se brenda këtij viti, BDI nuk bën ndonjë veprim për ta defaktorizuar ose për ta larguar nga pushteti VMRO-DMPNE, dhe nëse Maqedonia do të mbetet jashtë strukturave evro-atlantike, në kohën kur do të zhvillohet Samiti i NATO-s dhe mbledhje e Këshillit Evropian.
Gjithashtu, nëse vazhdon kjo politikë anti-shqiptare e pushtetit që e kontrollon VMRO-ja, atëherë vetvetiu do të krijohet hapësirë për një subjekt të ri politik", thekson Ramadani, për mediat shqiptare në Maqedoni.
Sipas tij, vet situata aktuale në Maqedoni mund të krijojë terren për një parti të re, por vetëm nëse vazhdon BDI të sillet si pjesë e pushtetit. "Ajo është partia më e madhe shqiptare, dhe është e obliguar që ta ndryshojë situatën, por duhet të bëjë veprime shumë radikale e cila ka qasje kryekëput anti-shqiptare, anti-NATO dhe anti-BE".
Ramadani thekson se një arsye më shumë për një parti të re është fakti se PDSH edhe ashtu përditë po ndahet dhe po e humbë subjektivitetin e vet si parti opozitare. "Sela mund të marrë një përqindje të anëtarësisë së PDSH-së, por nuk besoj që ai mund të veprojë si subjekt me emër të PDSH-së, një ditë do të jetë i detyruar që të themelojë subjekt të ri me emër tjetër".
Megjithatë, Ramadani thekson se përditë po rritet mosbesimi, sidomos pas veprimeve të dy partive të mëdha shqiptare. "Ky mosbesim theksohet sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit, kur dy partitë shqiptare në mënyrë shumë servile iu nënshtruan kryeministrit Gruevski dhe udhëheqësit të DBK-së, Sasho Mijallkov.
Tash është krijuar besimi se dy partitë shqiptare kontrollohen nga një qendër që deri tash është e dëshmuar si anti-shqiptare", tha ai. Megjithatë, ndarja nga partitë e mëdha dhe formimi i partive të reja deri tash është treguar një histori me fund të dhimbshëm.
Ramadani thotë se ka një përvojë jo të mirë të themelimit të partive të treta, të cilat do të kishin marrë ndonjë vend të merituar ose të pamerituar në skenën politike.
"Dështimi i partisë së Rufi Osmanit dhe Imer Selmanit, për të cilat është pritur se do të marrin një hise të konsiderueshme në hapësirën politike, i frikëson ata që mendojnë për një nismë të re politike e që e kanë të vështirë", thotë Ramadani. Ai mendon se protestat e fundit vetëm sa e kanë nxjerrë një muhabet më shumë në kureshtjen se kush, dhe kur do të themelohet një parti.
Ndërsa, analisti tjetër Arsim Sinani thekson se ka nevojë për një lëvizje të re politike në Maqedoni, pasi që partitë politike shqiptare janë delegjitimuar që nga dita e fillimit të protestave për rastin "Monstra" e këndej.
Sipas tij, dalja e një subjekti të ri është hap logjik për shkak të mos tregimit të rezultateve nga ana e partive aktuale. "Mendoj se partia e re do të ketë sukses p[r shkak se BDI është lodhur, nuk ka treguar rezultate, strukturat e saja janë në 'gjumë të thellë dimëror' në mes të verës.
Partia tjetër shqiptare PDSH, luan herë në pozitë herë në opozitë, është parti që shkon drejt shpërbërjes. Kështu ka një shans të mirë për ta rikthyer procesin që e kanë humbë partitë aktuale, BDI dhe PDSH", vlerëson Sinani.