Neziri takohet me Rifai, bisedohet për zhvillimin e turizmit

Maqedonia

Neziri takohet me Rifai, bisedohet për zhvillimin e turizmit

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 00:48

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri sot zhvilloi një takim bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai ku temë kryesore e takimit ishte zhvillimi i turizmit me qëllim të nxitjes së rritjes së mëtejshme ekonomike në vend. Neziri shprehu kënaqësinë me rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve në vend, gjatë 3 viteve të fundit, por theksoi se ky nuk është qëllimi final i shtetit, sepse ekziston potencial shumë më i madh në turizëm.

"Mesatarisht kemi rritje të numrit të turistëve me 5 për qind në vit, vetëm vitin e kaluar shënuam rritje prej 5.8 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur me 13.8 për qind. Sipas të dhënave të fundit, numri i turistëve vendas në muajin maj të këtij viti, krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar, ka shënuar rritje me 13.1 për qind, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur me 13.0 për qind. Veçanërisht e rëndësishme të theksohet është se për herë të parë vitin e kaluar numri i turistëve ka tejkaluar shifrën prej 700.000 turistëve, që ishte objektivi kryesor në strategjinë për zhvillimin e turizmit", tha ministri Neziri.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm Rifai, Maqedonia posedon kapacitet shumë të madh në aspektin e turizmit dhe ka shumë për të ofruar.Organizata Botërore e Turizmit është e gatshme të sigurojë mbështetje për çdo gjë që është e nevojshme për zhvillimin e shpejtë të turizmit nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë, për të zhvilluar një plan praktik drejt qëllimeve të këtij vendi, përkatësisht se si mund të arrihen këto qëllime.

"Maqedonia do të ketë mbështetjen tonë në të gjitha panairet, forumet dhe konferencat ndërkombëtare në të ardhmen, ndërsa një aktivitet i tillë është Forumi në Tiranë gjatë muajit tetor, ku do të doja të merr pjesë edhe vendi juaj", tha Rifai. Sipas tij, Maqedonia ka shënuar përparim të dukshëm, veçanërisht në infrastrukturë dhe shërbimet e turizmit, dhe në vitet e ardhshme fokusi i turizmit duhet të jenë makrodestinacionet, duke pasur parasysh tendencën e turistëve të vizitojnë disa destinacione gjatë një udhëtimi.

Duke pasur parasysh disa nga destinacionet atraktive turistike, të tilla si Struga, Ohri, Kodra e Diellit në Tetovë, Çarshia e vjetër në Shkup, Ministri i Ekonomisë Neziri shprehu gatishmërinë për të bërë çdo gjë që është e nevojshme për të rritur numrin e turistëve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Republikës së Maqedonisë i jep Organizata Botërore e Turizmit, që nga anëtarësimi në vitin 1995, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat