Ivanovi nuk po gjen shqiptarë për Këshillin e Sigurisë

Maqedonia

Ivanovi nuk po gjen shqiptarë për Këshillin e Sigurisë

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 23:43

Gjorge Ivanov nuk po arrin të gjejë shqiptarë për të emëruar në Këshillin e Sigurisë Kombëtar. Përveç bojkotit të BDI-së që konteston legjitimitetin e presidentit, bëhet gjithnjë e më e sigurt se edhe PDSH-ja nuk do të delegojë anëtarë të saj në Këshillin e Sigurisë. Jo zyrtarisht mësohet se presidenca ka filluar të kontaktojë profesorë shqiptarë që nuk janë të përfshirë në parti politike, por deri tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje pozitive as prej tyre. Nga kabineti i presidentit nuk duan të përgjigjen nëse kanë gjetur shqiptarë që pranojnë të delegohen nga Ivanovi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ditë më parë, presidenca deklaroi se anëtarët e Këshillit të Sigurisë do të dihen vetëm kur të jenë paraqitur në seancë konstitutive. Refuzimi i përfaqësuesve shqiptare për pjesëmarrje në Këshill do të vazhdojë të mbajë peng konstituimin e Këshillit të Sigurisë, që ishte paralajmëruar për në fund të këtij muaji. Kjo, për shkak se Kushtetuta e obligon presidentin që të mbajë llogari edhe për përfaqësimin e shqiptarëve.

“Gjatë emërimit të tre anëtarëve (të Këshillit të Sigurisë), Presidenti do të sigurojë që përbërja e Këshillit, si tërësi, në mënyrë përkatëse të pasqyrojë përbërjen e popullatës në Maqedoni”, thuhet në amendamentin XIII të Kushtetutës.

Këshilli numëron 8 anëtarë, 5 prej të cilëve gjenerohen nga funksionet e parashikuara nga Kushtetuta, nga Nikolla Gruevski si kryeministër, Trajko Veljanovski si kryetar Kuvendi, Gordana Jankullovska Ministre e Brendshme, Nikolla Popovski Ministër i Jashtëm dhe Zoran Jolevski në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes. Për shkak se të gjitha këto funksione i kryejnë kuadro maqedonas, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat Ivanovi duhet ta sigurojë duke emëruar 2 shqiptarë nga 3 anëtarët e tjerë që i emëron ai. Deri tani, përzgjedhja rezulton të jetë mision i vështirë për presidentin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat