A e bllokojnë rastin “Monstra” ndryshimet e reja kushtetuese?

Maqedonia

A e bllokojnë rastin “Monstra” ndryshimet e reja kushtetuese?

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 18:07

Parlamenti kohë më parë i miratoi ndryshimet kushtetuese, në to përfshihej edhe aplikimi i mekanizmit të ri juridik, Ankesa Kushtetuese, që më parë thirrej Kërkesa Kushtetuese. Veprimi i tillë shkaktoi debat në opinion për mënyrën e aplikimit të këtij mekanizmi, madje dhe dyshime se këto ndryshime juridike do të mund ta bllokojnë rastin “Monstra” të shpreh ankesat në Gjykatën e së drejtave të njeriut në Strasburg. Megjithatë, ekspertët juridik komentojnë se edhe pse ka dyshime mbi definimin dhe rolin që do i jepte Ankesa Kushtetuese Gjykatës së Strasburgut, si dhe duke mos harruar politizimin e gjykatave në Maqedoni, mekanizmi i tillë tani për tani nuk paraqet ndonjë bllokadë për palët që konsiderojnë veten të dëmtuar, të paraqiten para Strasburgut.

Kadriu: Mos-definimi i ligjeve le hapësirë për çdo lloj manipulimi

Sipas profesorit universitar, Osman Kadriu, në ndryshimet e reja kushtetuese, ka shumë risi dhe shumë çështje nuk janë të mirë definuar . Ai thotë se tash për tash nuk ka asnjë rrezik për rastin ‘Monstra’ që të shkoje deri te gjykata evropiane, por nga mos definimi i mirë i ligjeve të fundit, ajo edhe mund të rrezikohet.

“Përkundër kësaj, unë besoj se plaga e ‘Monstrës’, duhet të kthehet nga Gjykata e Shkallës së Dytë, gjithmonë nëse nuk ka presione të ndryshme politike, pasi aty janë shkelur të drejtat në mënyrë flagrante” thotë Osman Kadriu.

Maksuti: Stërzgjatje e procesit

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mersim Maksuti është i mendimit se Ankesa Kushtetuese ka anë të mira por sa i takon rastit ‘Monstra’ mund të ndikojë në zgjatjen e vendimeve gjyqësore.

“Sa i takon rastit ‘Monstra’, këtu mund të ndikojë në zgjatjen e vendimeve gjyqësore, si shkak i këtyre ndryshimeve. Por nuk mendoj se mund të ndikonte keq në mbarëvajtjen e procesit, gjithmonë duke folur mbi parimet dhe jo mbi presionet e ndryshme që edhe mund të ekzistojnë.” thotë Maksuti.

Ai shpjegon mekanizmin duke thënë se në parim është pozitiv për disa arsye.

“Ankesa Kushtetuese në parim, përforcon mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pasi tani secila padi mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse aplikohet si duhet mundëson të ruhet imazhi i Maqedonisë si shtet ligjor, që jo çdo vendim të gabueshëm gjyqësor, ta përmirësojë Strasburgu, kur ka mundësi atë ta bëjë edhe Gjykata Kushtetuese në Maqedoni. Si dhe pala që ankohet ka harxhime të arsyeshme.
Mirëpo, edhe pse ka ende dyshime mbi definimin dhe rolin që do i jepte Ankesa Kushtetuese Gjykatës Evropiane, gjegjësisht asaj të Strasburgut, unë mendoj se assesi nuk do mund ta ndalonte që vendimet gjyqësore të shkojnë edhe në Strasburg, pasi kjo do binte ndesh edhe me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut” thotë për mediat shqiptare në Maqedoni, Maksuti.

Ollogu: Nuk mund të cenohet e drejta për ankesë por ka zvarritje

Avokati Ismailaki Ollogu, thekson se ndryshimet e fundit kushtetuese në një vend demokratik rrisin forcimin e mëtejshëm ligjor por sa i takon rastit “Monstra”, në një shtet si Maqedonia me influencë të dukshme politike mbi pushtetin gjyqësor, ky ndryshim kushtetues mund ta zvarrisë procesin në dëm të të dënuarve.

“Ky ndryshim kushtetues, mund ta zvarrisë procesin në dëm të të dënuarve, në aspektin kohor, duke marrë parasysh se të dënuarit janë të privuar nga liria dhe aq më shumë kur rasti ka marrë përmasa të konfliktit etnik e fetar!” thotë Ollogu.

Ai shton se me Ankesën Kushtetuese nuk cenohet e drejta e ankesës në Gjykatën e Strasburgut, as edhe nuk mund të aprovohet një ligji i tillë, ngase Maqedonia paraprakisht është nënshkruese e Konventës për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat