'Arsimi i integruar' përmirëson marrëdhëniet ndëretnike!

Maqedonia

'Arsimi i integruar' përmirëson marrëdhëniet ndëretnike!

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 23:56

OSBE-ja vlerëson se një nga shtyllat kryesore të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike është rikthimi në agjendën politike i objektivave të strategjisë së vitit 2010 për arsim të integruar. Kjo u theksua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë. Por Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi thotë se në parim, e mbështet strategjinë për arsim të integruar, por thekson se ajo duhet zbatuar në tërësi, dhe jo në mënyrë të njëanshme, vetëm në aspektin e mësimit të gjuhës. Ademi tha se deri tani, nuk ka marrë ndonjë vërejtje të tillë me shkrim nga OSBE-ja.

“Aty do të duhet të implementohen të gjitha shtyllat e saj e jo vetëm çështja që ka të bëj me mësimin e gjuhës sepse integrimi nuk nënkupton asimilim, integrimi nuk nënkupton integrim të njëanshëm dhe nëse duam kjo strategji të implementohet deri në fund do të duhet jo vetëm implementimi i një shtylle të saj pra të gjuhës por edhe të çështjeve tjera që ka të bëj me përmbajtjen e teksteve shkollore, me përzgjedhjen e kuadrit dhe emërimin e drejtorëve që nënkupton edhe kyçjen e prindërve përmes këshillave të shkollave, nënkupton kyçjen e arsimtarëve nënkupton edhe kyçjen e komunave si institucione kompetente për arsimin fillor dhe të mesëm pra të një sërë faktorësh të cilët edhe mund ta implementojnë të njëjtën. Deri më tani ne nuk kemi pranuar një letër zyrtare nga OSBE-ja për mbledhjen e mbajtur para disa ditësh në Vjen por në moment kur se kur ta pranojmë të njëjtën sigurisht do ta shqyrtojmë me vëmendje dhe në bazë të përmbajtjes së saj do të sillemi si institucion kompetent”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit.

Sipas Ademit implementimi i kësaj strategjie nuk mund të filloj të zbatohet nga ky vit shkollor për shkak se për të nevojiten mjete financiare dhe debat i gjerë.
“Për implementim të asaj strategjie dhe për implementim më masovik të atyre qendrave sigurisht se nevojitet infrastrukturë më e mirë, nevojiten edhe mjete financiare më të mëdha që nënkupton edhe kohë më të gjatë për implementim.. Sigurisht që për këtë vit shkollor as që mund të flitet zbatimi i së njëjtës pasi thash se ne do të kyçim në debat dhe vendimmarrje të gjithë faktorët. Kjo nuk bëhet në mënyrë të përshpejtuar sepse nëse marrim një vendim të përshpejtuar sigurisht që ai vendim nuk do të jetë i implementueshëm, këtë e them edhe nga praktika kur kishte një vendim të tillë para disa vitesh”, u shpreh Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit.

Çështja e arsimit të integruar ishte temë debatesh të ashpra në vitin 2010 ku u propozua që gjuha maqedonase të mësohet që nga klasa e parë nga ana e nxënësve të komuniteteve jo maqedonase. Kjo çështje nxiti kritika dhe reagime të shumta në veçanti nga komuniteti shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat