Ndryshimet e reja kushtetuese bllokojnë “Monstrën” në Strasburg?!

Maqedonia

Ndryshimet e reja kushtetuese bllokojnë “Monstrën” në Strasburg?!

Më: 17 korrik 2014 Në ora: 09:54

Me ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese, Strazburgut i pamundësohet të merret me rastin ‘Monstra’
Në ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese përmendet edhe përfshirja e të ashtuquajturit Instituti “Ankesa Kushtetuese”, me të cilin në mënyrë perfide parashihet që të bllokohet arbitrazha ndërkombëtare, siç është Gjykata e Strasburgut.

Konkretisht, në të ardhmen të gjitha padrejtësitë që bëhen nga gjykatat vendore, nuk do të mund të korrigjohen nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Sipas të gjitha gjasave, edhe rasti “Monstra”, nëse shkon në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, me ndryshimet e reja që janë paralajmëruar, nuk do të mund të pësojë kurrfarë ndryshimi, për arsye se Kushtetuta do ta pengojë zbatimin e çfarëdo lloj vendimi të kësaj gjykate ndërkombëtare në territorin e Maqedonisë, transmeton “Faktinews”.

Kjo është edhe një arsye plus për deputetët shqiptarë që të dalin kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese, aq më tepër kur për ato nuk ka pasur konsultime paraprake në mes të partnerëve të koalicionit dhe kurrfarë debati publik, ku do të përfshiheshin edhe qarqe e profile të ndryshme profesionale, intelektuale e akademike.

Prej kësaj, mbetet e paqartë se si do të mundet Maqedonia të dizajnojë aso ndryshime kushtetuese që do të bien ndesh me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e së cilës është edhe ajo.

Prandaj, para se t’i qasen amendamenteve dhe neneve të Kushtetutës, deputetët është mirë t’i analizojnë edhe njëherë ato fusha që mund të jenë në shpërputhje me standardet ndërkombëtare. Sikundër dihet, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është një gjykatë ndërkombëtare me seli në Strasburg.

Ajo përbëhet nga një numër gjyqtarësh i barabartë me numrin e Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të cilët kanë ratifikuar Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut – aktualisht 46 vende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat