Ndryshimet kushtetuese nxisin debatin për çështjet shqiptare

Maqedonia

Ndryshimet kushtetuese nxisin debatin për çështjet shqiptare

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 15:51

Kuvendi i Maqedonisë ka nisur debatin për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë kryesisht me sferën e gjyqësisë dhe të financave, si dhe rregullimin me Kushtetutë të bashkëshortësisë, e cila do të definohet vetëm bashkësi mes burrit dhe gruas.
Ndryshimet e iniciuara që duhet të kalojnë disa faza, qeveria i ka arsyetuar me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por edhe me çështje tjera financiare, kryesisht në sistemin bankar.

“Reformat në Gjyqësor kanë qenë prioritet i Qeverisë së Maqedonisë dhe ato janë në vëmendjen e interesit të publikut profesional, shkencor dhe atij më të gjerë. Aktivitetet janë përqendruar drejt zbatimit të ligjeve të miratuara, qëllimi i të cilëve është përforcimi i pavarësisë dhe rritjes së efikasitete të Gjyqësorit”, ka deklaruar Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë, në arsyetimin e dhënë para deputetëve.

Por, nisma e Qeverisë ka ngritur edhe kërkesa tjera, para se gjithash nga Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, e cila ka akuzuar qeverinë për lënien anash edhe kësaj radhe të shumë çështjeve të padefinuara që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e simboleve kombëtare, e ndarjes proporcionale të buxhetit, e miratimit të vendimeve me shumicë të dyfishtë, apo siç njihet ndryshe, në bazë të Parimit të Badinterit, janë vetëm disa nga çështjet që PDSH-ja kërkon të jenë pjesë e ndryshimeve kushtetuese.

“Cilat nga këto ndryshime që propozohen janë burimore të BDI-së? Cilat nga këta janë kërkesa të shqiptarëve? Cilat nga këto ndryshime që propozohen janë apo burojnë nga legjitimiteti i shqiptarëve, në të cilin thirren këta njerëz që sot i përfaqësojnë shqiptarët në qeveri? Pra, ku është interesi shqiptar në këto ndryshime kushtetuese?!", ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.

Nga BDI-ja, mos hapjen e debatit për këto çështje e kanë arsyetuar me nevojën e miratimit të ndryshimeve për Gjyqësorin dhe financat deri para publikimit të raportit të progresit të KE-së për Maqedoninë, ndërsa, sipas saj, hapja e çështjeve tjera, do të merrte shumë kohë dhe rrjedhimisht do të pengonte miratimin edhe të çështjeve të iniciuara.

Ndërkohë, nevoja për hapjen e debatit dhe përfshirjen në ndryshimet kushtetuese edhe të çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët, kërkohet edhe nga njohësit e çështjeve juridike.

Mersim Pollozhani, ish zv/ministër i Drejtësisë, i quan provokim për shqiptarët ndryshimet e propozuara, ndërsa kërkon unifikimin e partive shqiptare për definimin e qartë me Kushtetutë të pozitës së shqiptarëve në shtet.

“Mendoj se ky është vetëm një provokim i vogël se ne si shtet unitar maqedonas vazhdojmë me politikën tonë unitariste, sundojmë vetë, nuk ju përfillim, të mos them ju injorojmë".

"Turi i këtij shteti me politikën antishqiptare nuk do të ndalet derisa shqiptarët të tregojnë pjekuri, të bëjnë koordinim të veprimit politik që kanë të bëjnë me çështjet strategjike në interes të shqiptarëve, të lënë anash politikën grupore të interesit dhe të vihen në shërbim të asaj për të cilën janë zgjedhur nga populli", thotë njohësi i çështjeve juridike, Mersim Pollozhani.

Ndërkaq, një pjesë e njohësve tjerë të çështjeve juridike kanë ngritur idenë e hartimit të një Kushtetute krejtësisht të re, për shkak të kontestimit të kësaj aktuales, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe për shkak të zbrazëtive dhe debateve që shkaktojnë herë pas here çështje të ndryshme që nuk janë përcaktuar si duhet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat